Përjetimi i paralajmërimit të Epopesë në Prekaz!

08.03.2018 15:15:05

Nga: Jusuf Bytyqi

Qysh se, pati ndodhur sulmi i parë më 30 dhjetor 1991 ndaj familjes së Shaban Jasharit në Prekaz, ne në Malishevë, krijuam edhe më shumë lidhje, “ndërtuam” edhe më shumë rrugë dhe raste që të takohemi me bac Shabanin dhe djemtë e tij, të paktën t’i bisedojmë bashkërisht problemet, që tashmë nuk mund të ishin vetëm të një familjeje, lagjeje, fshati, apo të një lokaliteti të një komune që nuk ishte kushedi sa larg nga Malisheva! Për Prekazin, krijuam edhe më shumë simpati. Rasti i parë, ishte 30 dhjetori i vitit 1991, pikërisht tre muaj pasi në Kosovë, patëm mbajtur Referendumin gjithëpopullor për Pavarësinë e Kosovës, për të cilin, pa kurrfarë zori-imponimi patën votuar pothuaj qind për qind të popullatës së Kosovës. S’kishte asnjë dyshim se pjesë e këtij kontributi, ishin edhe anëtarët e familjes së Shaban Jasharit. Ata, po se po, e dinin se çdo veprim që do të ndikonte në “shkumarimin” e shqiptarëve të Kosovës nga Serbia, në prishjen e raporteve eventuale “miqësore” që mund të kishte ndokush me serbët kudo në Kosovë, e sidomos në lokalitetet e përziera, do të ndikonte edhe në egërsinë e serbëve, të cilët, më pas do të hakmerreshin ndaj atyre që me dekada kishin punuar për një Kosovë ndryshe. Të dhunshmit nga pakica serbe në Kosovë, edhe në komunën e Skenderajit, përmes aparatit të forcës, kanë mbajtur nën tension veçmas Prekazin si lokaltet që njihej për veprimtari heroike gjatë të gjitha periudhave të historisë! Drenica ishte e njour kaherë për trimëri dhe veprime kundër pushtuesve të shumtë, e njohur për heroizmat e Azem Bejtës, Shotë Galicës, Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës etj., E në Drenicë ishte Prekazi heroik, Prekazi i Ahmet Delisë, Tahir Mehës, Shaban Jasharit, e shumë e shumë atdhetarëve tjerë. Bac Shabani, ishte dëshmuar edhe si mësues, edukator me ndjenja të veçuara atdhetarie në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore. Prekazi i njohur për qëndresë e sakrificë, dëshmoi vendosmëri për ndryshimin e gjendjes poshtëruese të popullit shqiptar në Kosovë. Në rrugëtimin e tyre për Liri dhe Pavarësi nga Serbia, anëtarët e familjes së Shaban Jasharit, nuk bënin kurrfarë kompromisi me pushtuesin serb. E, Jasharajt, që nuk e donin praninë e okupatorit në trojet e tyre, u mobilizuan për luftë kundër regjimit okupues serb. Sa më shumë që po kundërpërgjigjej Serbia me mekanizmin e saj represiv, aq më shumë shtohej motivimi për armatosjen e shqiptarëve, natyrisht edhe për krijimin e një Ushtrie që më pas do t’i kundërpërgjigej më lehtë Serbisë, forcave të saj okupuese kudo në Kosovë. Populli shqiptar, po e ndjente shumë afër dhembjen për atë që mund t’i ndodhte cilës do familje, lagjeje, fshati apo lokaliteti qoftë! Adem Jasharit iu dëgjua zëri tanimë kudo në Kosovë, atë e ndjenin që të gjithë ata shqiptarë që e donin lirinë dhe mëvetësinë, më shumë se sa një “rehati” nën thundrën e armikut. Zhvillimet, shqetësimet e përjetimet për ndonjë rast dhune në Drenicë apo diku tjetër, tashmë përjetoheshin në çdo familje, një çdo fshat, në çdo komunë. Kjo bëri që të nisnin aksionet e solidaritetit, me bukë, ujë, kripë, me zemër, me para, me sëpatë, apo me armë! Vitet nëntëdhjeta, ishin shumë të zorshme, të mërzitshme dhe goxha të gjata, pasi Kosova nuk kishte pushtet legal askund në institucione, kudo ishin organet e dhunshme arbitrare të Serbisë, pavarësisht se Drenica, Drenasi, apo Malisheva, ishin pothuaj komuna etnike shqiptare. Në vitet 90-ta, në Kosovë, kishte vetëm sistem të pavarur arsimor, madje edhe ai nuk funksiononte duke shfrytëzuar hapësirat adekuate shkollore, apo sistemin e financimit si deri më 1990. Shqiptarët, ndanë shkollat-arsimin nga Serbia, bënë një sistem paralel kundër Serbisë, të cilin e vetëfinanconin vullnetarisht dhe me mjete tepër modeste vullnetare. Ishte tepër vështirë të vazhdohej ashtu, prandaj, njësitet e formacionit luftarak UÇK-së, shtuan lëvizjet kudo në terrenet e shumta në Kosovë. Këso veprimesh, ndikuan në shpërthimin e mllefit qytetar, së pari në Drenicë, në Prekazin e Adem Jasharit, që shtuan veprimet kundër caqeve serbe në Kosovë, kundër stacioneve të Policisë serbe. Të gjitha veprimet, merreshin vesh shumë shpejt, ato reflektonin se duhej përgatitur, duhej ditur se paralajmërimi kishte ndodhur që moti, sidomos ai më 30 dhjetor 1991, që do të pasonte edhe më pas, sikurse edhe më 1994, 1997, me vrasjen e mësuesit Halit Geci në Llaushë, pastaj ndërhyrjen me pasoja të rënda në Likoshan e Qirez ( 26 shkurt 1998, u vranë 24 civilë), për të vazhduar në Prekaz më 22 janar 1998, që qenë plagosur dy mbesat e Shaban Jasharit, e më pas me sulmet më barbare më 5, 6 dhe 7 mars 1998 ndaj familjes së Adem Jasharit, lagjes Jashari e më gjerë. E si të mos e përjetonim këtë, ne në Malishevë, apo në cilën do komunë tjetër të Kosovës, fati i të cilave dukej dhe duhej të përjetohej njëjtë. Të gjithë kundër armikut, të gjithë në luftë për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, për Lirinë e popullit të shumë përvuajtur! E, Prekazi, u dëshmua edhe njëherë se është Kështjellë e Pamposhtur, se pavarësisht nga çmimi, nuk duron kurrë më këmbë okupatori! Lavdi, Komandantit Adem Jashari, Lavdi Jasharajve, Lavdi të gjithë atyre që nuk u hamendën, në zjarrin e vetëflijimit kolektiv, për Lirinë e popullit!