Përkeqësohet situata e Covid 19/ Ja vatrat e nxehta, 7 persona të shtruar në Reanimacion

14.06.2020 10:33:28

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se në harkun kohor të 24 orëve të fundit ka pasur një rritje të numrit të të infektuarve me Covid, duke shënuan ditën më kulminante që prej fillimit të epidemisë.

Ndërkohë, vazhdon puna në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, për të testuar të gjitha monstrat që kanë ardhur nga gjithë vendi për të dyshuar të prekur me Covid19.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 362 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 57 raste pozitive.

Kruja ka numrin më të lartë të rasteve ditore, me 16 të prekur që lidhen me aktivitete biznesi dhe kontakte të tyre, e ndjekur nga Tirana me 14 raste, 9 në Vlorë, 8 në Shkodër, 6 në Lushnje, 2 në Pukë, 1 në Durrës, 1 në Fier.  Ndërkohë që janë në hetim shumë raste të reja në Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Krujë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 5 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1044.  Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 47 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive dhe një i intubuar. Në vendin tonë janë aktualisht 441 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.