Përkushtimi i Presidentit Rugova për trinomin Liri Pavarësi Demokraci nuk është i rastësishëm por është rezultat i studimeve dhe zbatimi i tyre për rrethanat dhe situatën e popullit të Kosovës

Nga Qibrije Hoxha

Refuzimi i sistemit serb në Kosovë ka bartur me vehte shumë sfida, sakrifica, vullnet të hekurt e guxim të shqiptarëve të Kosovës për një dekadë.

Qytetarët të gjithë pa dallim dhanë kontributin e tyre duke u përfshi në lindjen e shtetit të ri të Kosovës të projektuar nga arkitekti i saj dr.Ibrahim Rugova.

Ky projekt  Presidentit Historik të Kosovës dr.Ibrahim Rugova për lirnë dhe pavarësisë së Kosovës, u realizua me mençuri duke e studjuar mirë me ndihmën e shkollave dhe përvojave më prestigjioze të demokracive perëndimore me theks të veçantë të me studimet e filozofisë dhe letërsisë në Francë.

Pra kjo vendosmëri dhe vetëdijsim i shqiptarëve të Kosovës nuk ishte euforik e as i rastësishëm, por ishte rezultat i besimit ndaj projektit të njeriut të guximshëm dhe të ditur i cili u bë zë i vullnetit të qytetarëve të vet, Presidentit Rugova.

Por si e përfitoi besimin e qytetarëve të vet Ibrahim Rugova?

Populli posedon intuitë të përbashkët. Kjo ndodh për shkak të interesit të përbashkët dhe përjetimeve të përbashkëta të vuajtjeve nga regjimet po edhe nga individë që kanë dalur në ballë të tyre, nga gjiu i vet.

Ibrahim Rugova ishte biri i popullit të përvuajtur shqiptar i cili krijoi besim dhe u bë pjesë e pandarë e shpirtit të tij, duke i njohur nevojat e shqiptarëve dhe duke iu qëndruar besnik deri në fund të jetës së tij.

Besimi krijohet nga veprimet e sinqerta dhe të sprovuara e sidomos besimi kolektiv.

Presidenti Rugova këtë besim tek shqiptarët e fitoi duke e rikthyer rezistencën paqsore, paqen, si vlerë e pakontestueshme e traditës së shqiptarëve. Ky rikthim i vlerës së traditës tonë u përqafua nga i gjithë populli shqiptar dhe kjo ishte një nga elementet vendimtare të krijimit të besimit të shqiptarëve për Presidentin Rugova.

Megjithate Presidenti Rugova në takimet me diplomatë të huaj, dëshmitare e të cilave jam edhe vetë, në rast mossuksesit të rezistencës paqsore në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, bënte me dije se nuk e përjashton rezistën e armatosur.

Sigurisht se përkushtimi i Presidentit Rugova për trinomin Liri Pavarësi Demokraci nuk është i rastësishëm por është rezultat i studimeve dhe zbatimi i tyre për rrethanat dhe situatën e popullit të Kosovës.

Ky përkushtim i Presidentit Rugova për Kosovën sigurisht se ndërlidhet me jetën e tij, fëmijërinë dhe rritën e tij jo të lehtë, për të cilin u përkujdes nëna Sofë pas vrasjes nga sërbët të babait Ukës si dhe më parë vrasjes së gjyshit Rrustë.

E bëra këtë vështrim të shkurtë me qëllim që të ju rikujtoj atyre (të paktë) të cilët rolin e Presidentit Rugova në krijimin e shtetit të Kosovës mundohen ta bëjnë të paqenë, kurse zgjedhjen e tij për President të Kosovës të rastësishëm ose edhe më keq, si të vetëshpallur.

Ata të cilët nuk besojnë në besimin e popullit, besim ky i ngjizur në shpirtin e shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, ndaj Presidentit Ibrahim Rugova, ata nuk kanë besim.

Ata që nuk kanë besim ata nuk besojnë në asgjë, as në Zot e as nuk mund të krekosen se i besojnë popullit të vet.

Rreth 1 milion njerëz në kushte jashtëzakonisht të vështira dimri në temperatura tepër të ulëta kur njeriu nuk mund të dalë as në prag të shtëpisë, mu në ato kushte ata që i besuan, shqiptarët pritën për orë të tëra për ti dhënë lamtumirën e fundit Presidentit Rugova, presidentit të tyre i cili deri në frymën e fundit mbajti fjalën dhe besën e dhënë se do të punojë dhe jetojë për popullin e vet dhe do ta bëjë Kosovën e Pavarur.

Këta njerëz të Kosovës dhe të gjitha viseve shqiptare respektin për Presidentin në ato kushte e bënë sepse lidhja shpirtërore me Presidentin e tyre ishte tepër e fortë. Kurse një lidhje e tillë krijohet nga besimi i pathyeshëm i cili pastaj kthehet ne respekt dhe dashuri.

Nuk dëshiroj besoj por nisur nga rrethanat dhe raportet e krijuara në mes shqiptarëve më rezulton se kjo vlerë univerzale dhe tradicionale shqiptare e mirbesimit dhe respektit të njerëzve ndaj njeri tjetrit, me shkuarjen në amshim të Presidentit Rugova, është zbehur shumë si e tillë.

Por poashtu nuk mund të mos e përmend një delaratë e njërit prej gazetarëve me nam i cili iu takon asaj plejade të gazetarëve ”modern” të cilët gati sa nuk e ndaluan për shumë vite, u tallën dhe propaguan e ”edukuan” se patriotizmi tashmë është gjë e tejkalur, po ai para disa ditësh për çudinë time tha: se këta lider nuk mund të më bindin se e duan Kosovën, që i bie se nuk janë patriot. Ska rëndësi vërtetësia e deklaratës së tij, por ajo që ka rëndësi është këndjellja e tij e që shpresoj të jetë edhe e shumë të tjerëve.

Unë jam shumë e vetëdijshme se nga fundi i viteve të 80-ta e këndej njerëzit kanë pasë vështirësi materiale. Nga kjo situatë kanë përfituar qarqe të ndryshme kryesisht ato të cilat janë thirrur dhe kanë funkcionuar në OJQ. Janë me mija sosh. Kanë qenë dhe janë pa asnjë kontrollë të  veprimtarisë së tyre.

Jo vetëm që fituan për ekzistencë por shumë edhe krijuan pasuri të madhe. Në këto rrethana për 3 dekada pjesa dërmuese e këtyre OJQ krijuan ndikime jo të mira.

Nuk punuan për interesin kombëtar. Nuk punuan për interesin e Kosovës. Rezultatet po e dëshmojnë këtë. Jemi dëshmitar të përçarjes dhe urejtjes në mes nesh.

Sidoqoftë dua të besoj se i ka ardhur fundi kohës së antivlerave dhe se me ngadale do ti kthehemi vlerave univerzale dhe të traditave tona të mira, për  paqe, respekt, punë, mirëbesim dhe ndershmeri, kurse institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë bartëse të tyre!