Perlaskaj: Do të jem zë i shqiptarëve në parlamentin kroat

16.08.2016 12:18:45

Në një intervistë dhënë Radio Kosovës, znj. Përlaskaj ka folur për angazhimet e saj në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kroaci, për jetën dhe anagzhimet e tyre në qytetet kroate, si dhe për shumë çështje të tjera të rëndësishme si për jetën e tyre atje, ashtu edhe për bashkëpunimet e ndryshme të Kroacisë me Kosovën, me Shqipërinë, por edhe të zejtarëve të ndryshëm nga këto shtete. Znj. Përlaska ka qenë deputete në Kuvendin e Kroacisë dhe ka përfaqësuar pakicat që jetojnë atje, në radhë të parë shqiptarët. Për shkak se Kroacia mban zgjedhje të jashtëzakonshme, znj. Ermina Lekaj -Perlaskaj kandidon sërish për të fituar ulëse në Kuvendin e Kroacisë, dhe për të vazhduar të përfaqësojë shqiptarët dhe pakicat tjera në Kroaci, si dhe të realizojë sa më shumë të drejta për ta.

Sot nis fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 shtatorit. Ju kandidoni për deputete që do të përfaqësoni të gjitha pakicat në Kroaci?

Ermina Lekaj Perlaskaj: Po. Sot ka filluar fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Unë përsëri jam kandiduar për deputete në parlament, si përfaqësuese e pakicave shqiptare, boshnjake, maqedonase, malazeze dhe sllovene. Sistemi zgjedhor në Kroaci ka dy lista, listën e partive dhe listën e pakicave. Pakicave iu mundësohet që të zgjedheni listën ku dëshirojnë të votojnë.

A keni ndryshuar diçka nga programi që kishit vitin e kaluar për 6 muaj sa ishit deputete?

Ermina Lekaj Perlaskaj: Nuk kam ndryshuar shumë. Kam shtuar diçka, sepse me të hyrë në parlamentin kroat, kam kupuar se duke qenë brenda në institucionin më të lartë, mund të realizosh edhe më shumë të drejta të pakicave që përfaqëson. Kështu që me qeverinë kroate, lidha marrëveshje bashkëpunimi. Kanë qenë 13 pika, 13 çështje që mendoj se janë shumë të dobishme për shqiptarët sidomos. Ndër to është finacimi i shoqatave shqiptare që veprojnë në Kroaci, e që janë disa në numër. Pastaj, është shtëpia e kulturës për shqiptarët, që deri tani e kanë pasur të gjitha pakicat tjera, përveç shqiptarëve. Punësimi i shqiptarëve në institucionet shterpore, e drejtë kjo që na takon edhe me ligjin kushtetues të Kroacisë, por në praktikë nuk është zbatuar. Pastaj ka pasur pika tjera të marrëveshjes që kanë të bëjnë edhe më çështje shëndetësore etj.

Sa shqiptarë jetojnë në Kroaci?

Ermina Lekaj Perlaskaj: Në Kroaci jetojnë rreth 18 mijë shqiptarë me të drejtë vote, sipas të dhënave zyrtare. Por ekziston një numër më i madh i shqiptarëve që janë deklaruar si pakica tjera, për shkaqe të ndryshme. Shfrytëzoj rastin që deri më 30 gusht që të paraqiten në zyrat administrative në vendbanimet ku jetojnë që të rregullojnë apo të përmirësojnë statuset e tyre të kombësisë.

Cila është pozita e shqiptarëve dhe pakicave tjera në Kroaci?

Ermina Lekaj Perlaskaj: Pozita e pakicave në Kroaci është e mirë, por mund të bëhet edhe më shumë. Këtë e them për arsye, se kemi shumë rini, rini të shkolluar, shumë të shëndoshë dhe pas shkollimit të tyre ata dëshirojnë të punësohen në vendet e caktuara për të cilat edhe janë aftësuar gjatë studimeve.

Si mund të integrohen më lehtë shqiptarët në shoqërinë kroate?

Ermina Lekaj Perlaskaj: Shqiptarët mund të integrohen në shoqërinë kroate duke i njohur më mirë të drejtat që iu takojnë me Kushtetutë. Kjo mund të bëhet nëse ata arrijnë të dërgojnë përfaqësuesin e tyre në parlament, ku mbrohet me ligj e drejta e secilit.

Çfarë bashkëpunime keni me zejtarë nga Kosova dhe viset tjera shqiptare?

Ermina Lekaj Perlaskaj: Së pari dua ta theksoj se unë jam vetë bijë e një zejtari dhe krenohem me prindërit e mi. Prandaj, unë gëzoj respket shumë të madh për të gjithë zejtarët dhe kam bashkëpunim shumë të mirë me ta. Kam kërkuar të bëhen lehtësira në procedura administrative në qeverinë kroate për zejtarët tanë. Kam kërkuar që të lehtësohet marrja e fuqisë punëtore për zejtarët shqiptarë, qoftë nga Kosova apo Maqedonia, e cila deri tani ka qenë shumë e komplikuar.

Sa mund t’iu ndihmosh zejtarëve shqiptarë, duke qenë deputete në Parlamentin kroat?

Ermina Lekaj Perlaskaj: Në ministrinë e bizneseve dhe zejtarisë kemi zëvendësministrin e parë, i cili ka hartuar një projekt i cili parasheh që edhe zejtarët shqiptarë të aplikojnë për grande dhe fonde të BE-së, që të zhvillojnë edhe më tutje bizneset e tyre. Në mandatin e ri, do të angazhohem edhe më shumë që të realizohen këto të drejta dhe mundësi për shumë zejtarë. Do të kërkoj me ngulm aftësimin dhe trajnimin e tyre në institucione të licencuara. Do të jem zë i shqiptarëve dhe pakicave tjera në parlament.

Si do të bashkëpunoni me qeveritë shqiptare, të Kosovës dhe të Shqipërisë?

Ermina Lekaj Perlaskaj: Gjatë këtij mandati kam ndërmarrë disa nisma. Kam pasur disa takime, si me ministrin e kulturës dhe të Kroacisë si dhe të Shqipërisë; me ministrin e punëve të jashtme të Kroacisë për një bashkëpëunim ekonomik mes Kosovës dhe Kroacisë; me kryetarin e Odës Ekonomike të Kroacisë, duke insistuar që të kthehet kjo odë në Prishtinë. Për këtë kam marrë edhe mbështetjen e presidentës kroate, Kolinda Grabar Kitaroviq. Do të vazhdoj të angahzohem për bashkëpunime në fusha të ndryshme mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe të Maqedonisë. Ka nevojë për bashkëpunime ekonomike, arsimore, shëndetësore, e shumë fusha të tjera.

Çfarë është sistemi zgjedhor në Kroaci, a mund të paraqesë vështirësi për votuesit?

Ermina Lekaj Perlaskaj: Dua ta zbërthej pak procedurën e votimit. Votuesi kur shkon në vendvotim, duhet të deklarohet se i takon pakicës në këtë rast, dhe të kërkojë listën e pakicës, sepse janë dy lista pra, lista për partitë dhe lista për pakicat. Në këtë garë për pakica janë 8 kandidatë, pesë boshnjakë dhe 3 shqiptarë që unë e vlerësoj si shenjë e demokracisë dhe ofrimit të mundësive për votuesin.

Si do të takoni votuesit tuaj në këtë fushatë?

Ermina Lekaj Perlaskaj: Gjatë kësaj fushate, duke e respketuar kohën verore, e cila është sezonë e punës për shumë biznese dhe familje, do të përpiqem, të takoj përsëafërmi votuesit e mi. Do t’i takoj dhe të bisedojmë për të gjitha projektet që i kemi nisur dhe t’i përfundojmë bashkë ato. Ftoj të gjithë votuesit që më 11 shtator të dalin në votime dhe të realizojnë të drejtën e votës, që të sigurojnë të drejtat e tyre me ligj duke dërguar përfaqësuesin e tyre në Parlamentin e Kroacisë. Votoni numrin 4. Konsideroj se jam edhe më e gatshme, më e përgatitur të përfaqësoj të gjithë shqiptarët dhe pakicat tjera në këtë mandat.

Autor: Hyrë Tejeci Murati