Përmbyllen punimet “Forumi i Dubrovnikut”

01.09.2018 21:50:05

Të shtunën përmbylli punimet ‘Forumi i Dubrovnikut’, që u mbajt në mes datave 31 Gusht – 1 Shtator 2018.

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri së bashku me Kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj kanë qenë të pranishëm në përmbylljen e punimeve te “Forumi i Dubrovnikut”, i cili është mbajtur prej 31 gushtit deri sot,  ku nikoqir i saj ishte kryeministri i Kroacisë, Plenkovic.

Përmes një shkrimi në Facebook, Tahiri ka treguar për rëndësinë dhe temat që janë diskutuar në këtë forum.

Tema kyçe e këtij forumi ishte ‘Fuqizimi i qëndrueshmërisë Mediterani, Evropa dhe Ballkani Perëndimor’, ndërkaq nën-temat ndërlidheshin nisur nga: ‘Përkufizimi i sfidave – shqyrtimi i zgjidhjeve’; ‘Fuqizimi i qëndrueshmërisë përmes interkonektivitetit të përmirësuar infrastrukturor’; e deri tek ’Fuqizimi i qëndrueshmërisë duke luftuar lajmet e rrejshme (Fake News).

Në këtë forum, Republika e Kosovës, u përfaqësua nga Kryeministri Haradinaj, i vlerësuar në mesin e folësve kyç të konferencës. Kjo ishte mundësi e mirë që Kosova të prezantoj progresin, të ri-konfirmoj partneritetin rajonal, e njëkohësisht të kërkoj mbështetje nga akterët rajonal e ndërkombëtar. Ndër të tjera, ky forum ishte ri-konfirmim për mbështetje të shtuar euro-atlantike, për Ballkanin Perëndimor, e me theks për Republikën e Kosovës.

Ndërkaq, në takime të ndara me Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit z. Matthew Palmer, u diskutua për proceset ekonomike, politike dhe të sigurisë në rajon dhe nevojën për mbështetje të SHBA-së, si aleate strategjike e vendit tonë, në veçanti e domosdoshme për proceset aktuale politike dhe konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë.

Në rrafshin e reformave të agjendës evropiane, u diskutua me Komisionerin e BE-së për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar z. Neven Mimica, ku Qeveria e Kosovës pasqyroi angazhimin e treguar për zhvillim ekonomik, fuqizim të rendit dhe të ligjit, përmbushje të obligimeve që dalin nga MSA dhe për fushat tjera që janë të rëndësisë së veçantë në përafrimin e vendit tonë me BE-në.

Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryeministri Haradinaj, zhvilloi takime dhe prezantoi edhe me delegacione të tjera dhe përfaqësues të lartë të vendeve pjesëmarrëse në forum. Në këtë konferencë, u pasqyrua serioziteti dhe përkushtimi institucional për ta forcuar bashkëpunimin rajonal, për ta përafruar vendin në procesin integrues e parasëgjithash për ta thelluar perspektiven euro-atlantike të Republikës së Kosovës