Përmbytje dhe rrëshqitje dherash/ Ja rrugët nacionale të bllokuara dhe ku mund të kaloni

12.11.2016 19:42:31

I gjithë territori i vendit tonë është përfshirë nga reshje të dendura gjatë ditës së sotme, ku shumë akse rrugore janë përmbytur dhe në të tjera ka patur rrëshkitje dherash.

Ministria e Transporteve informon se aktualisht, në disa akse rrugore qarkullimi kryhet normalisht, ndërsa në të tjera situata paraqitet më e rëndë.

Tepelenë- Gjirokastër, pranë Ujit të Ftohtë ka ndodhur rrëshqitja e një masivi shkëmbor dhe pas ndërhyrjes së kompanisë së mirëmbajtjes situata është normalizuar. Ka patur vështirësi qarkullimi edhe në aksin Gjirokastër-Kakavije si rezultat i vërshimit të ujrave mbi rrugë, por firmat kanë ndërhyrë duke normalizuar qarkullimin.

Situatë problematike ka qenë edhe grumbullimi i ujrave pranë City Park por puna e mirëmbajtjes bëri të mundur zhbllokimin e ujërave duke i ardhur në ndihmë dhjetra bisneseve që rrezikonin përmbytjen. Një masiv shkëmbor ka rënë edhe në aksin Librazhd-Prrënjas ku fillimisht trafiku u lejua vetëm në një korsi dhe pas ndërhyrjes së firmës së mirëmbajtjes situata u vu nën kontroll dhe qarkullimi i mjeteve bëhet normalisht.

Probleme serioze paraqet Rruga e Kombit ku janë aktivizuar disa skarpata të përmasave të mëdha dhe që kërkojnë vëmendje për ndërhyrje. Gjithsesi kalimi i mjeteve në këtë aks nuk ka probleme. Dëmtime të rënda ka pësuar rruga Bajram Curri-Valbone ku qarkullimi kryhet me vështirësi.