Përmbytjet në Luiziana, katastrofë natyrore në SHBA (Video)

19.08.2016 12:42:08

Përmbytjet katastrofike që kanë dërrmuar Luizianën janë tashmë katastrofa më e madhe natyrore në SHBA që prej uraganit Sendi 4 vjet më parë.

Sipas Kryqit të Kuq, mijëra njerëz në Luiziana kanë humbur gjithçka dhe kanë nevojë për ndihmë.

13 persona kanë humbur jetën në zona të ndryshme të këtij shteti amerikan, ndërsa dëmet mendohet të jenë në dhjetëra miliona dollarë, por përllogaritjet ende nuk kanë nisur, pasi shqetësimi kryesor është shpëtimi dhe ndihma për njerëzit në nevojë.

Për të ilustruar seriozitetin e situatës, meteorologët thanë se në disa zona ranë 75,5cm shi për 15 orë, duke zënë në befasi autoritetet dhe banorët.

Për më tepër, përmbytjet kanë përfshirë zona të Luizianës ku ky fenomen deri para një jave ishte plotësisht i panjohur dhe rrjedhimisht përgatitjet për të nuk ekzistonin. Ekipet e emergjencave raportuan se kanë kryer më shumë se 30 000 operacione shpëtimi, një rekord absolut.

Me mijëra njerëz që kanë humbur shtëpitë e tyre janë strehuar në qendra emergjence që vazhdojnë të shtohen për shkak të fluksit të personave në nevojë.

Presidenti amerikan Barack Obama shpalli gjendjen e katastrofës në disa zona të goditura më rëndë, diçka që mundëson dërgimin e ndihmës dhe fondeve federale për njerëzit në nevojë.