Përplasje mes Komunës dhe Prokurorisë në Prizren, opozita kritika të ashpra Haskukës

07.07.2019 14:19:44

Kanë vazhduar sërish përplasjet mes Komunës së Prizrenit dhe Prokurorisë Themelore të Prizrenit, rreth rasteve të dyshimta për keqpërdorim dhe shkelje ligjore në pushtetin lokal.

Prokuroria ditë më parë ka reaguar pas deklaratave të kryetari të Prizrenit, Mytaher Haskuka duke theksuar se Komuna nuk ka dorëzuar 60 kallëzime penale për rastet e dyshuara, por vetëm një njoftim lidhur me to.

“Haskuka në emision ka thënë se ka paraqitur rreth 60 kallëzime penale në Prokurori për çështje të keqpërdorimeve, e që gjithnjë sipas pretendimit të tij, Prokuroria ka ngritur vetëm 3-4 aktakuza. Gjithashtu, z. Haskuka ka përmendur me theks të veçantë se së fundmi kanë dorëzuar edhe tri kallëzime penale përkitazi me “Arkivën elektronike”, aplikacionin “Prizreni i mençur” dhe “Ngrohjen Qëndrore”në Qendrën Rinore në Prizren. Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit, Prokuroria Themelore në Prizren ndjehet e obliguar të sqarojë opinionin se asnjë nga pretendimet e z.Haskuka nuk qëndrojnë”, thuhej në reagimin e Prokurorisë.

Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prizren, ka konfirmuar se asnjëri prej tri rasteve të përmendura nga Haskuka (“Arkiva elektronike”, aplikacioni “Prizreni i mençur” dhe “Ngrohja Qendrore” në Qendrën Rinore), nuk është dorëzuar fare në Prokurori.

E pas kësaj deklarate të Prokurorisë, i menjëhershëm ishte reagimi i Haskukës, i cili të mërkurën sërish i është kundërpërgjigjur Prokurorisë duke thënë se në reagimin e Prokurorisë deklarata e tij është shtrembëruar, “kinse kam thënë që kemi paraqitur 60 kallëzime penale”.

“Pas reagimit të bërë nga Prokuroria Themelore në Prizren në lidhje me deklaratat e mia në emisionin “Puls”, për hir të korrektësisë ndaj opinionit publik, po e publikoj një pjesë të atij emisioni, ku diskutimi është për rastet e dërguara në Prokurori. Në këtë video mund të shihni se e them qartazi që ne i kemi paraqitur Prokurorisë mbi 60 raste për dyshime të keqpërdorimit dhe shkeljeve ligjore. Ndërsa në reagimin e Prokurorisë deklarata ime është shtrembëruar, kinse kam thënë që kemi paraqitur 60 kallëzime penale”, ka thënë Haskuka.

Por, për këto përplasje mes Haskukës me Prokurorinë kanë reaguar edhe opozita në Prizren.

Asamblistët e PDK-së dhe AAK-së, duke folur për lajmi.net, deklaratat e Haskukës i kanë vlerësuar si tendencioze.

Asamblisti i AAK-së, Ilir Baldedaj, ka thënë për lajmi.net se Haskuka nuk e ka kryer rolin e tij si kryetar i Prizrenit. Ai ka thënë se dështimet e veta po mundohet t’ia adresojë ish-pushtetit dhe Prokurorisë e Gjyqësorit.

“Kryetari Haskuka besoj që nuk e ka kryer rolin e tij si kryetar i Prizrenit, sepse tri institucionet kryesore janë të pavarura, janë të ndara njëra më tjetrën dhe ai nuk është zgjedh kryeprokuror i Prizrenit por është  zgjedh kryetar komunë, dhe duke u munduar dështime e veta 2 vjeçare, të akuzoj  ish-pushtetin dhe Prokurorinë apo Gjyqësorin.Ka më mijëra veprime të paligjshme që i bën ky pushtet’, ka thënë Baldedaj.

Edhe, Kastriot Krasniqi, asamblist i PDK-së në Prizren, ka akuzuar Haskukën së nuk ka bërë asgjë për qytetarët e kësaj komune.

“Siç i shihni edhe vetë, kryetari Haskuka në këto dy vite asnjë lloje veprimi për të mirën e qytetarëve të Komunës së Prizrenit nuk bënë. Ai vetëm më kukatje me gjera të tilla merret, nuk është një kryetar vendimmarrës, ose që vepron diçka. Ndërsa sa i përket Prokurorisë, Prokuroria i ka kallëzimet penale të vetat”, ka thënë Krasniqi.

Gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes në Prizren, Haskuka shquhet me ankesa kundër qeverisë së Ramadan Mujës.