Përplasje publike LDK – LVV, lëvizin në kahe të kundërta – nuk vërehet klimë për marrëveshje

18.12.2019 23:33:53

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, assesi nuk po mund t’i përafrojnë qëndrimet e tyre për ndarjen e posteve shtetëtore në koalicionin e tyre qeverisës.

Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm pikërisht për këtë temë ku kanë dalur me qëndrime publike, shkruan lajmi.net.

I pari i LDK-së, njëherit edhe udhëheqës i takimeve midis LVV-së dhe partisë së tij, Isa Mustafa, para mediave tha se në takime duhet të diskutohet edhe çështja e presidentit.

Sipas tij, posti i presidentit duhet t’i takojë LDK-së dhe kjo nuk duhet të jetë pengesë për formimin e koalicionit midis këtyre dy subjekteve duke zbuluar edhe ofertën e partisë së tij për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Çështja e presidentit është një prej çështjeve që do të diskutohet. Nuk shoh asnjë pengesë që Vetëvendosje ta jap një përkrahje për partnerin e vet, ashtu siç ne kemi besim që si partner t’ia japim postin e kryeministrit dhe nuk e diskuptojmë. Këshilli ishte i bindur se LDK duhet të vlersohet karshi përkrahjes që ka marrë nga qytetarët ne zgjedhje, qoftë në ndarjen e përgjegjësive me VV qoftë në programin qeverisës. Në do të vazhdojmë ti përgjigjëmi fteses së VV për takimet e ardhshme. Vlersojmë se nësë do të ketë vullnet politikë qështja e marrëveshjes mund të arrit. Sot u vendos që pjesë e marrëveshjes të jen të gjitha pozitat”, tha Mustafa.

Ai është shprehur gjithashtu publikisht se i kanë ofruar një ministri e cila tani i takon LDK-së sipas ndarjes në këmbim të postit të Presidentit.

E këtyre deklaratave të tij, iu ka reaguar ashpër deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje dhe zyrtare e lartë në këtë parti, Albulena Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se një gjë e tillë është e papranueshme dhe sipas saj,  është kërkesë e tepërt nga LDK-ja.

“Mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm e përdorën për ta betonuar apetitin e tyre. Përveç që i duan zv.KM e parë, 5 ministri dhe gjysmën e programit, LDK e don edhe kryeparlamentarin edhe presidentin. Pra, e duan gjysmën e qeverisë dhe gjithçka tjetër! Jo falemnderit”, ka thënë Haxhiu.

E pa reaguar nuk ka mbetur as lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili është shprehur se Isa Mustafa pas mbledhjes nuk ka thënë asgjë të re pos atyre që janë ditur.

Në anën tjetër, Kurti është parë së bashku në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve FIDES 2019 me Vjosa Osmanin.

Se kur pritet të ndodh takimi i radhës dhe a do të ndodh ky takim mbetet të shihet, por pozicionet e të dy subjekteve mbesin ende shumë larg një marrëveshje të mundshme.