Përse Rusia nuk do që të zgjidhet çështja e Kosovës?!

19.11.2019 02:30:24

“Rusia bën llogaritë e saj dhe nuk është e interesuar që çështja e Kosovës të zgjidhet, sepse atëherë nuk do të ishte aq tërheqëse për Serbinë sa c`është sot”: kështu është shprehur në një intervistë për Radion Europa e Lirë në gjuhën serbe, Maksim Samorukov, zëvendës i kryeredaktorit të Qendrës Carnegie të Moskës, i cituar nga Koha.Net.

Sipas pohimeve të tij, kur është fjala për ambiciet e Rusisë që të përfshihet në dialogun mes Beogradit e Prishtinës, “Moska ka interesin e saj që kjo çështje të mos zgjidhet”.

Sa për deklaratat e zyrtarëve rusë mbi arritjen e marrëveshjes përfundimtare, ato mund të lexohen me dy kuptime.

“Rusia, ashtu sic ndodh edhe me konfliktet e tjera në Ballkanin Perëndimor, nuk dëshiron që të zgjidhet ngërçi mes Prishtinës e Beogradit. Mbështetja e saj në këto rrethana është vendimtare për Serbinë, në radhë të parë për shkak të situatës së Kosovës. Serbisë i duhet Rusia në nivel ndërkombëtar për forcën e saj në Kombet e Bashkuara, në mënyrë që të pengojë plotësisht pranimin e Kosovës. Por në momentin që ky problem merr zgjidhje, atëherë Moska sigurisht nuk do të jetë aq joshëse për Beogradin. Megjithatë, deri më tani kemi parë aq shumë probleme e pengesa në rrugën që çon drejt zgjidhjes së këtij konflikti, sa që Rusisë as që i është dashur të përpiqet për ta penguar këtë zgjidhje”, është shprehur Samorukov.