Përsëri mbi Koletën dhe dashuritë e saj

26.03.2017 10:12:32

Luan Rama

«Koleta dhe miket e saj» (Colette et les siens), një libër që sapo është botuar në Paris nga shkrimtarja e njohur dhe akademikja franceze Dominique Bona. Në fakt, Koleta s’ka rreshtur së ngacmuari fantazinë dhe frymëzimin e shumë autorëve, dhe ç’është më interesantja, shumica femra, shkrimtare e kritike, studjuese arti dhe feministe, të cilat siç duket kanë gjetur tek shkrimtarja e famshme franceze e shekullit XX diçka nga ideali i tyre femëror, liria dhe përjetimi i plotë i jetës, dashuria me të dashurit e tyre, por dhe liria mes femrave, çka një shoqëri puritane e trondit, por që në kohërat moderne, liria e tyre e fillimit të shekullit XX nuk çudit më. «Liria sikur rrjedh në venat e tyre», – shkruan një kritike.

Dhe ashtu është. Libri i Bona-s është tregimi i jetës së Koletës dhe mikeshave të saj nga viti 1914 dhe deri në vitin 1954, ku veçanërisht vitet e kohës së “Luftës së Madhe”, (Luftës së Parë Botërore) ku Koleta e dashuruar me baronin Henry de Jouvenel jetonte në euforinë dhe ekstazën e saj.

Henry niset drejt frontit në luftë dhe asaj i duhet të shkojë fshehurazi të jetojë tek banorët e Verdun ku bëhet një nga luftrat më legjendare, pasi në luftë, grave u ndalohej të shkonin pranë ushtarëve në front. Ndryshe çdo të ndodhte nëse i pranonin: luftë apo dashuri?!…

Kështu pra, Koleta kthehej në shtëpinë saj pranë pyllit të Bulonjës (”Bois de Boulogne”) dhe bashkohej pranë vatrës me mikeshat e ngushta të saj, gra libertine siç ishin Marguerite Moreno, një nga aktoret e famshme të kohës; gazetarja e njohur e reportazheve të luftës Annie de Pene, (e cila ashtu si Apollinaire do të vdiste më 1918 nga gripi spanjoll, i cili bëri kërdinë gjatë dhe pas luftës… dhe Musidora, apo Musi i dashur, aktorja dhe balerina e famshme e kabareve parisiane, për të cilën kur isha në Kinostudio kisha një dobësi të veçantë dhe mbaja gjithnjë një revistë franceze me skenat e filmave të saj.

Ja pra gratë anti-konformiste të kohës së luftës dhe të pasluftës, kohës kur Musi u bë një nga muzat e famshme të surealizmit. Katër gra me flokë të shkurtra, të prerë si djemtë, veshur me pantallona, që pinin alkool dhe cigare dhe që ndodhte që biseksualiteti të ishte jo i huaj për ato.

Madje ato shijonin dhe shoqërinë e djemve më të rinj si ato, siç ishte dhe dashuria e vetë Koletës me djalin e burrit të saj, Bertrandit, dashuri që të dy do ta vujnë gjer në fund të jetës së tyre. Ishte pikërisht koha kur Koleta, gjatë një shfaqje në “music-holl” nxorri gjinjtë jashtë, për çka policia e ndaloi shfaqjen, edhe pse shtëpitë publike e kishin përmbytur Parisin. Mikeshat më pas u plakën dhe veç vdekja i ndau mes tyre… Në librin tim “Parisi letrar”, Koletës i kisha kushtuar një kapitull më vete, pasi ky shpirt i lirë ishte një nga shkrimtaret më të mira franceze të shekullit XX, mjaft e pëlqyer dhe në bregun tjetër të Atlantikut…

Koletë – një rrebele në ngjizmën e erosit dhe letërsisë

Në tetë marsin e vitit të kaluar, rastësisht u ndodha mbi urën që lidh sheshin e Concorde-s me parlamentin francez dhe për habi, duke ecur, u gjenda përballë tetë portreteve të mëdha që mbulonin fasadën e madhe të Asamblesë parlamentare. Ishin tetë nga gratë më të njohura të Francës, mes të cilave dhe tri nga personazhet e mia të preferuara: Sand, Colette dhe Beauvoir.

Ato ditë në televizion flitej dhe për filmin e Koletës, (Colette), të interpretuar nga aktorja tragjike Marie Trintignant, që kishte zbërthyer thelbin e një prej personazheve më të çuditshëm dhe të fuqishëm njëkohësisht të shkrimtareve të letërsisë franceze të shekullit XX. Ishte filmi i saj i fundit, para se të humbiste në një koma nga ku s’do të dilte më. Ajo mburrej se kishte arritur të zbërthente botën aq komplekse të asaj gruaje aq të zgjuar dhe kurajoze.

Në bulevardin Souchet, ku banon mikja jonë soprano Inva Mula, pak më tutje, në të njëjtën anë të trotuarit kishte banuar prej kohësh Koleta. Dhe ajo shtëpi ishte e një stili «haussmanien», disi misterioze që më kujtonte gjithnjë jetën e stuhishme të asaj gruaje që la gjurmë në shekullin e vet.

Edhe pse banorja e asaj shtëpie nuk ishte më, personazhi që kishte krijuar bënte që të mbahej gjallë imazhi i asaj femre libertine dhe shkrimtareje të spikatur që bëri të pasionohet pas saj një Francë dhe një botë e tërë. Cila ishte vërtet kjo grua që krijoi me aq ngjyra këtë portret që do t’i bashkangjitej rradhës së shkrimtarëve më të mëdhenj francezë të shekullit XX?

Para disa vitesh, në një manifestim kulturor europian të ministrisë franceze të Kulturës, u shtrua një koktej pikërisht në kopshtet e Palais Royal. Gjatë atij kokteji, jo rrallë ngrija sytë dhe vëzhgoja ato dritare nga ku gjysmë shekulli më parë, Koletë vështronte botën. I flisja për Koletën një miku tim francez dhe nuk di pse ajo dritare e apartamentit të vjetër të saj merrte për ne një vlerë simbolike.

Ishte i vetmi kontakt nga kuajo, në vitet e fundit të saj, e paralizuar dhe e dënuar të mos lëvizte, mund të shikonte botën, të shijonte stinët, të dëgjonte zogjtë në ato kopshte të gjelbëruara, të ëndërronte disa çaste dhe të dehej me aromën e jetës që pulsonte ende. Pikërisht në ato dritare zgjatej figura e asaj gruaje që për Francën ishte kthyer në një emblemë më vete. Një emblemë e një kohe të lavdishme letrare, emri i së cilës në të vërtetë ishte Sidonie Gabrielle Colette, edhe pse të gjithë e kishin njohur më vonë me emrin e shkurtër: Koletë.

Ajo kishte lindur në Yonne në vitin 1873, në një familje të thjeshtë, por ardhja në Paris do të ndryshonte rrjedhën e jetës së saj. Ishte babai i saj, kapiteni Colette de Chatillon, i cili e dërgoi vajzën tek miku i tij i luftës, Willy, Henry Gauthier Villars, që atë kohë punonte në Paris si kronist i jetës teatrale për revistat dhe gazetat pariziane. Willy atëherë kishte mbetur i ve, me një vajzë të vogël. Ai kishte një atelier me disa kronistë, që punonin për të, pasi kronikat botoheshin gjithnjë me emrin e tij.

Willy kishte nja gjashtë “negër” që punonin për të, – shkruan një biograf i Koletës. – Ai u jepte një ide dhe ata shkruanin tregime, të cilave ai u vinte emrin e tij dhe i botonte. Aikurrë nuk shkroi një vepër të tijën.” Kështu do të fillonte dhe Koleta, sinjë «negre», por kur Willy-t i pëlqeu dhe ra në dashuri, edhe pse 14 vjet më i madh se ajo, atëherë, kronistja pa emër, do të shënonte tashmë emrin e saj krahas emrit të patronit: Willy-Colette.

«Një vit e gjysëm pas martese, – kujtonte Koleta në shënimet mbi jetën e saj, – pasi ai dëgjoi ca histori të fëmijërisë dhe të adoleshencës time, ai më tha: Shkruaji kujtimet e shkollës. Mos ki frikë nga detajet pikante. Mbase mund të nxjerr ndonjë gjë. Themelet janë thellë. U preka nga kjo frazë e fundit që u bë leitmotiv i vazhdueshëm pas 13 vjetësh, me një fantazi të pashterëshme

Kur Willy kishte lexuar tregimet e saj, me një vështrim të përciptë, ai kishte thënë: «Qenkam gabuar! Këto nuk shërbejnë për asgjë!»… Por disa muaj më vonë, duke rregulluar sirtaret e zyrës, ai kishte gjetur fletoret e shkruara të Koletës. – «Ah, i kisha harruar»… dhe pasi i hodhi një sy, lexoi një faqe dhe pëshpëriti: «Ah, qenka interesante…»

«Kur hapi faqen e dytë, – kujtonte Koletë, – ai nuk foli. Pastaj as kur hapi faqen e tretë, të katërt. Pastaj, në fund ait hirri: O Zot! Paskam qenë budalla! – dhe ai i rrëmbeu ato dhe rendi për të gjetur një botues…J a pra si u bëra shkrimtare!…”

Ky ishte fillimi i romanit të parë të saj, Claudine à l’école, (Klodina në shkollë)… Një vit më vonë u botua Claudine à Paris, (Klodina në Paris), ku tregohet Klodina që pret flokët e gjata dhe futet në botën e artit, e kështu me rradhë. Por në fakt, katër romanet e para do të dilnin në shtyp vetëm me një emër: atë të Willy-t, Gauthier-Villars. Kur ajo preu flokët, (një ditë ajo kishte shkelur padashur gërshetin e saj të gjatë dhe meqë ishte rrëzuar menjëherë kishte vendosur ta priste atë), nëna e saj ishte zemëruar me të, por megjithatë, ajo e adhuronte të bijën për zgjuarsinë dhe talentin e saj.

Ti ke trashëguar shijet e mia, – i shkruante ajo një ditë të vitit 1907. – Ti i do kataklizmat, zhurmën e erës në pemë, ti ke dashuri për pemët e bukura, për lumenjte, detet… Gjithçka e thellë është vërtet e bukur. Ndërsa unë do të vdes e pangopur nga kaq shumë shkëlqime që ekzistojnë.”

Jeta e Koletës si shkrimtare n’a kujton padyshim jetën e pararendëses së saj, George Sand, Sandit që vishej me pantallona, Sandi libertine me plot histori dashurish, Sandi pasionante dhe e ëmbël, artistja e fjalës dhe e teatrit. Dy jetë aq të afërta me njëra tjetrën për nga ngazëllimet dhe trishtimet, për nga dritat e lavdisë dhe ikjet e tyre për të humbur diku në trishtimin më të madh. Koha e moskuptimit, koha kur ato kërkonin lirinë e tyre të vertetë.

Dhe jo vetëm lirinë e tyre, por të gjysmës tjetër të shoqërisë, asaj feministe. Romani Claudine en menage, ishte historia e dy grave pariziane, Claudine dhe Rezi, që njihen në një nga sallonet mondane pariziane. Një dashuri femërore për të cilën Willy dyshoi, meqë një ditë ai ndjeu tek Koletë një parfum të njohur, parfumin e një prej të dashurave të tij të fshehta, Georgie-Raoul Duval. Që nga ajo ditë ai e ndjeu se Koletë po largohej gjithnjë e më shumë nga ai, e tërhequr tashmë nga një botë tjetër.

Që më 1907, atëhere kur Koleta iu dha artit tërësisht, ajo shkruante: «Dua të bëj atë që dua. Të luaj pantomimë, teatër, të vallëzoj nudo, nëse të mbathurat më pengojnë plastikën e trupit ; dua të shkruaj libra të trishtë dhe libertinë…të kënaq atë që më do dhe t’i jap atij gjithçka kam në këtë jetë: trupin tim rrebel, zëmrën time aq të butë dhe lirinë time!...»

Ishte lufta e saj për lirinë dhe pavarësinë si femër, si artiste. Ajo kishte kohë që e kishte kuptuar se lidhja e saj me Willy-n ishte tashmë pa vlerë, edhe pse në fakt ishte ai qe e kishte futur në botën e spektaklit. Por megjithatë ajo hezitonte,si çdo femër e fillimit të shekullit XX. «Ku të shkoja? Si mund të jetoja? Si mund të ikja? – kujtonte ajo më pas këtë periudhë të vështirë të rinisë së saj. Një natë, një mike amerikane e quajtur Natalie Clifford Barney e çoi të shikonin spektaklin e një aktoreje me emër në atë kohë: Mata Harri. Dhe ajo kërcente nudo në skenë!

Idea se ajo ishte një shkrimtare që kishte sukses në publikun e gjërë dhe se publiku nuk e njihte aspak emrin e saj e mundonte prej kohësh dhe dalëngadalë tek ajo lindi një lloj revolte ndaj Willy-t. Donte t’a sfidonte atë, por si? Madje në kontratat me botuesit, vetëm Willy kishte të drejtë të merrte përqindjet e botimeve që shiteshin, meqë njihej si autori i vetëm i tyre. Kjo periudhë do të ishte për Koletën një periudhë revolte. E revoltës dhe e zbulimit, ndoshta për ta sfiduar gjer në fund burrin e saj.

Kështu ajo zbuloi një botë të re, botën femërore,atë botë të ndaluar lezbizmi, duke frekuentuar mikesha të reja që do të hynin në jetën e saj si Natalie, Lucie, Eva, një poeteshë melankolike Renée apo një nga interpretet me të cilën filloi të luante shpesh në skenat teatrale,markezja Missy, emri i së cilës ishte Mathilde de Morny. Por një nga lidhjet më të ndjera të saj ishte një vajzë e re angleze e quajtur Megy, e cila kishte disa vjet që kishte ardhur në Paris dhe i shkruante letra dashurie me një përkushtim të jashtëzakonshëm.

Në Paris ekzistonte në këtë kohë një komunitet apo koloni e njohur lezbikesh, që parizianët duke qeshur e quanin komuniteti i Mytilene-s, sipas emrit të ishullit grek. Emri i Koletës tashmë ishte i bërë i njohur në rrethet artistike: ajo ishte mimë, aktore, balerinë, këngëtare e «music-holl»…në kinematografi ajo adopton disa nga romanet e para të saj. Në atë kohë ajo interpretoi dhe në pjesën teatrale La Chair, (Trupi njerëzor). Interpretonte në jug të Francës.

Një nga ato ditë ajo i dërgonte një telegram një mikut të saj: «Sukses i madh edhe pse prefekti i Alpes-Maritimes m’a mbuloi gjirin e majtë.» Në shfaqjen e 3 shkurtit të vitit 1907, në «Moulin Rouge» ndodhi skandali. Në skenë, duke interpretuar, Koleta puthet me partneren e saj, balerinën Missy. Të nesërmen, kjo ngjarje ishte në të gjitha gazetat pariziane. Shefi i policisë së Parisit kërcënoi patronin se do t’ia mbyllte lokalin nëse një skenë e tillë do të ndodhte përsëri. Por Willy, i prekur në sedër, edhe pse tani mbante në krah një dashnore tjetër, kërkoi divorcin.

Pas divorcit me Willy-n, ajo shkroi dhe botoi me emrin e saj. Rruga e letërsisë tashmë ishte e hapur. Madje ajo pohoi në shtyp se ishte ajo autorja e vërtetë e romaneve me Kodinën dhe jo ish burri i saj. Romani Claudine divorce,(Klodina ndahet), zhvillohej me ngjarje në Paris,në Rue Villejuste dhe padyshim kishte ehon e gjithë trazirës së saj shpirtërore fill pas divorcit.

Tashmë ajo kishte etje të shkruante. Të shkruante dhe të interpretonte në skenë, në “Moulin-Rouge”, të shkonte në turne me trupën teatrale, në Bruksel, Monaco, etj, të interpretonte në Olympia, në Paris, e gjetkë. Kur botoi Ditari i Koletës, Apollinaire pikasi talentin e saj dhe menjëherë e përshëndeti: «Asnjë femër nuk n’a ka intriguar, kënaqur dhe skandalizuar sa Koletë.”

Koleta ishte shkrimtarja e parë në historinë e letërsisë franceze që mbajti një rubrikë të përhershme në një nga revistat femërore të asaj kohe, duke guxuar të shkruante jo vetëm për çështje psikologjike dhe natyrën e thellë dhe të komplikuar femëore, por dhe për patetikën seksuale dhe çështje tabu të marrëdhënieve femër-mashkull. Një nga turnetë e famshme të saj ishte turneu me dramën La vagabonde, ku brënda tridhjetë e dy ditëve ajo dha shfaqje në 32 qytete të Francës. Një maratonë e vërtetë.

Në fakt “vagabondja” quhej Renée, por më tepër ajo ishte një hibrid midis saj dhe poetes së atëherëshme Renée Vivien, një të pasure të familjes Rotchild, e cila ishte bijë e një anglezi me një nënë amerikane. Ishte një nga intelektualet që atëherë spikaste në Paris dhe që kishte si idhuj të saj Bodlerin dhe Safon e Antikitetit. Madje bashkë me Nathalie Barney ato sapo ishin kthyer nga ishulli Lesbos, ku kishin dashur të krijonin një koloni poeteshash.

Shpejt Koleta e la të dashurën e saj Missy për një dashuri tjetër më të fortë, për Henry-n simpatik, një nga burrat e bukur të Parisit. Dashuria me baronin Henry de Jouvenel ishte një «coup de foudre», siç thonë francezët, një «goditje rrufeje, dashuri me shikimin e parë», edhe pse prej vitesh ai kishte një të dashur tjetër që nuk i shqitej dhe e ndiqte ngado.

Ajo ishte e bukur dhe xheloze dhe ishte betuar se do ta vriste rivalen e saj. Por Koleta, autorja e romanit të fundit La Vagabonde, (Vagabondja), nuk ishte nga ato femra timide që trëmbeshin kollaj, edhe pse ajo e ndoqi ca kohë me armë në dorë, duke bërë skandale dhe klithur se do ta vriste. Romani Vagabondja ishte një nga romanet më në zë të asaj kohe. Tashmë Koleta e kishte lënë skenën për t’iu kushtuar plotësisht shkrimit, romanit.

Henry de Jouvenel ishte një njeri me influencë në botën e mediave të Parisit dhe atëherë drejtonte si kryeredaktor gazetën Le Matin. Ajo donte të botonte në gazetën e tij, dhe ashtu do të ndodhte. Koleta do të ishte bashkëpuntore e afërt e gazetës për vite me rradhë. Ata u martuan më 19 dhjetor të vitit 1912 dhe çifti u vendos në apartamentin e tij në Rue Contambert. Shpejt u lindi një vajzë që çuditërisht ata do ta quanin Colette.

Për Koletën në atë kohë ishte një periudhë plot ngjarje. Në vitin 1914 shpërtheu Lufta e I-rë Botërore dhe De Jouvenel u angazhua si zëvëndës lietnant në frontin më të vështirë kundër prusianëve, në Verdun.

Ishte një atmosferë e veçantë. Disa kohë Koleta punoi si infermiere në spitalin e sajuar në gjimnazin pranë shtëpisë së saj, «Janson de Sailly». Por ajo s’mund të qëndronte vetëm, larg tij. Edhe pse femrat atë kohë e kishin të ndaluar të shkonin të shikonin burrat e tyre në front, dhe për më tepër të qëndronin pranë tyre. Por Koleta do ta rregullonte që më së fundi të shkonte. Natën ajo punonte në spitalin e fushimit ushtarak, ndërsa ditën shkruante dhe fshehurazi takohej me De Jouvenel. Dashuri dhe seks në kohë lufte dhe nën ehon e bombave.

Ajo filloi të botonte në gazetë shkrimet e saj nga fronti, të cilat priteshin me padurim në Paris: shkrime, reportazhe, mbresa nga fronti dhe jeta e transheve, mbi luftën ajrore me gjermanët, bombardimet, etj, të cilat më pas ajo i mblodhi në një libër reportazhesh të titulluar Orët e gjata, (Les heureus longues), ku përshkruhet jeta e frontit dhe lufta e jetës me vdekjen.

Në vitin 1917, De Jouvenel transferohet në Paris si drejtor kabineti i ministrit të Marinës. Ishte ai që do të jepte idenë për krijimin e varrit të «Ushtarit të Panjohur», pas luftës, i cili do të vendosej nën Harkun e Triumfit. Tashmë atyre u ka lindur një vajzë, të cilën do ta quajnë po «Koletë» edhe pse ajo e thërriste gjithnjë «Bel-Gazou». Më 1921 ai zgjidhet senator dhe Koleta kalon vite të lumtura me të. Koleta thoshte se «ajo ishte gjithnjë besnike», dhe se «nuk mund të bënte dashuri ose seks me dikë kur tjetri ekzistonte.» Tashmë në rrethin e miqve të saj janë futur dhe Marcel Proust, Debussy, apo muzikanti tjetër Maurice Ravel, me të cilin bashkëpunon me për një fantazi lirike, Fëmija dhe magjitë.

Dashuria me Jouvenel «junior»

Koleta e gjeti adoleshent Bertrandin, djalin e Jouvenel-it me gruan e parë, dhe ata do të jetonin në një atmosferë mjaft harmonike. Por Bertrand do të rritej. Koleta e pëlqente atë djalosh simpatik, plot ndjenja si i ati dhe ajo e merrte ngado me vete, më shumë kur shkonin me pushime, në Normandi apo në jug të Francës. Ishte ajo që i mësonte not, ishte ajo që e nxiste të donte natyrën, të lexonte dhe i rekomandonte Prustin apo Balzakun, shkrimtarët e preferuar të saj. Por me vite përqafimet e dikurshme vazhdonin edhe pse djaloshi ishte rritur.

Nga një dashuri platonike ajo u kthye dhe në një dashuri fizike. Një mbrëmje, kur ai ishte bërë 16 vjeçar, ajo iu afrua ta puthte si çdo natë, para se ai të shkonte të flinte. Por atë natë ajo e kishte puthur në buzë. Bertrandi kishte mbetur i shtangur, duke ndjerë njëkohësisht shijen që i kishte lënë ajo gojë e lagësht,e nxehtë dhe gjithë dëshirë.

Në fakt, që në vitin 1920, Koleta kishte shkruar romanin Cheri, (I shtrenjti), i cili ishte pritur me entusiazëm nga kritika dhe veçanërisht nga publiku femëror, edhe pse ishte një roman i guximshëm, pasi tentonte të trajtonte probleme të cilat konsideroheshin ende tabu në shoqërinë franceze.

Në këtë roman ajo tregon historinë e një njerke që bije në dashuri me djalin e burrit, një histori imagjinare që po kthehej tashmë në realitet, pasi po i ndodhte vetë asaj, autores së romanit. Pikërisht në këtë kohë, Henry de Jouvenel u dërgua për një mision diplomatik në Rumani, nga Quai d’Orsay, ministria e Jashtme, dhe në këtë mision ai u shoqërua nga princesha Bibesco me origjinë rumune, me të cilën do të binte në dashuri. Më1924, Henry donte ta çonte djalin e tij për të ndjekur studime të larta në Pragë, por Koleta e kundështoi. Një ditë më vonë, kur ata të tre ishin ulur në tavolinë dhe u bisedua përsëri rreth shkollës dhe largimit të tij, Koleta u ngrit nga tavolina dhe e mbërthyer nga pasioni i deklaroi Henrit se ajo e dashuronte Bertrandin. Baroni nuk po u besonte veshëve dhe syve? Të ishte e vërtetë?…

Sigurisht, pasi Koleta po i thoshte me plot gojën se ajo kishte kohë që dashurohej me të. Shumë shpejt ai i kërkoi divorcin. Koletës iu desh të largohej nga gazeta Le matin, por menjëherë ajo u angazhua nga gazeta Le Figaro, ku çdo javë kishte rubrikën e saj. E njoftuar për këtë ngjarje, e ëma e Betrandit kërkoi ta fejonte atë shumë shpejt.

Një ditë, kur Bertrandi do të shkonte për drekën e fejesës, më parë ai u kthye nga shtëpia në bulevardin Suchet ku qëndronte akoma Koletë. Ai u ngjit lartë dhe trokiti në portë, por Koleta nuk ia hapi. Kur ai doli, ajo i hodhi nga dritarja një pusullë, ku i shkruante: «Të dua!»…

Ishte hera e parë që ajo i deklaronte me fjalë diçka të tillë. I tronditur nga kjo ngjarje, Betrandi nuk shkoi në drekën e fejesës së tij dhe kuptohet që ceremonia u prish. Kjo periudhë ishte një kohë e trishtë për Koletën. Aq më tepër që ish burri i saj i parë, Willy, kishte filluar të fliste kundër saj.

Madje ai u deklaronte miqve të tij: «I kam mësuar asaj që t’i pëlqejë meshkujt e bërë synet. Tani se ç’shkon me një izraelit që merret me diamante dhe që është pesëmbëdhjetë vjeç më i vogël se ajo.» Atëherë ajo filloi të shkruante vazhdimin e romanit Cheri të cilin do ta quante La fin du Cheri, (Fundi i të Shtrenjtit). Në këtë roman janë përsëri po ato personazhe, Cheri dhe Lea, por kësaj rradhe, fjalët mbi vetveten janë të rënda dhe vrasëse. Fundi i romanit mbyllet me vetvrasjen e Cheri-së. Por a do të ndodhte kështu në realitet?…

Edhe pse kishte filluar të shëndoshej, kjo gjë nuk e shqetësonte. Ajo vazhdonte të hante si gjithnjë shumë hudhra dhe të fliste me theksin e saj “burguinjon”. Pikërisht në këtë kohë ajo njihet dhe me një djalosh të ri, pothuaj 20 vjeç më të vogël se ajo, i cili kishte rënë në dashuri me të. Quhej Maurice Goudeket dhe ishte hebre me origjinë.

Pas një turneu me dramën Cheri, ajo u ul të shkruajë romanin tjetër të saj Lindja e një dite, ku evokon marrëdhëniet e saj me të bijën, që dhe ajo quhej Koletë, Colette de Jouvenel. Kjo vepër, që ishte njëkohësisht një studim psikologjik, ndërtohej rreth dymbëdhjetë letrave që ajo i shkruante vajzës së saj, me të cilën, shpesh e ishte detyruar të shkëputej dhe të jetonte larg saj për hir të profesionit.

Në këtë periudhë të krijimtarisë së saj artistike, Koleta krijoi një personalitet më vete në jetën letrare botërore. Romani La Chatte, (Macja), kishte gjetur gjithashtu një jehonë të gjërë dhe po kështu edhe romani Burgje dhe parajsë.

Ajo shkroi mjaft dialogje filmi, adoptoi romanet e saj në kinematografi me autorët më të njohur. Regjisori i famshëm gjerman Max Reinhard, miku i Aleksandër Moisiut, kërkoi që ajo të adoptonte në një version të ri teatral veprën e Shekspirit Endra e një nate vere. Më 1935, kur anija më e madhe në botë «Normandie», u nis përherë të parë drejt oqeanit nga Havre drejt kontinentit amerikan, ajo ishte ndër udhëtaret e para.

Ajo ndaloi në Havanë, ku u prit me një entusiazëm të paparë. Më pas do të vizitonte Harlemin në Nju Jork dhe do të lumturohej në kabaretë e xhazit. Amerika e gjithë përshëndeste shkrimtaren e madhe.

Si dhe më parë Koleta punonte gjithnjë në të njëjtën tavolinë, skrivani. Aty kishte shkruar dhjetra romane, aty do të shkruante dhe dhjetra të tjerë. Atë do ta merrte edhe në Rue Beaujolais, edhe në Claridge, edhe në Champs Elysées. Edhe pse nuk shkonte më me femra, ajo i ruante gjithnjë lidhjet e vjetra. Sa herë botoheshin librat e rinj, ajo u a dërgonte me dedikim.

Ajo nuk i harronte as mikeshat e vjetra “lady” Una Troubridge apo Margarite Radclyffe Hall. Tashmë, në moshën 52 vjeçare, ajo martohet për të tretën herë në jetën e saj: kësaj rradhe, i dashuri, ishte një botues 35 vjeçar. Edhe romani Tërheqje sentimentale,ishte një roman në vazhdën e romaneve psikologjike të Koletës, ku ajo mundohet të depërtojë thellë në shpirtin njerëzor dhe ti paraqiste lexuesit shfaqje të reja të dramës apo pasioneve njerëzore. Në këtë roman, është Klodinë që kur niset në Festivalin Muzikor Wagner, në Bjerut, merr me vete dhe amerikanen Suzie, për t’i bërë qefin burrit të saj Renaud.

Një «trio» në lagjet e nxehta të Bejrutit. Më 1936, kur u pranua në Akademinë Mbretërore të Gjuhës dhe Letërsisë Franceze të Belgjikës, në vendin e Ana de Noailles që sapo kishte vdekur, Koleta u prit në një mënyrë madhështore. Kur ajo hyri, gjithë salla u ngrit në këmbë duke e duartrokitur atë. «Homazhi im, – tha atë ditë ajo, – nuk i bëhet një të vdekure, por një personi të gjallë, asaj krijese të brishtë, (Ana de Noailles), që e humba pa e parë të vdiste. Vallë a e humba? Që nga çasti që është larguar nga ne, unë e rigjeta atë njëqind herë!…»

Si librin më të mirë të saj Koleta ka mbajtur gjithë kohën romanin Pur eti mpur, (I pastër dhe jo i pastër), një roman që fillonte me njerëz që mblidheshin në një shtëpi të çuditshme ku pihej opium dhe ku njerëzit xhvisheshin dhe visheshin me “kimono” të qëndisura japoneze.

Autorja, Charlotte, pra vetë ajo, futet në këtë mjedis që të shohë se ç’ndodh me këta personazhe dhe cilët janë fatet e tyre. Në fakt, ky libër përbën një lloj traktati mbi marrëdhëniet e ndaluara seksuale, duke n’a zbuluar subkoshiencën dhe terrenet e nëndheshme të dëshirës së trupit. Koleta mbronte tezën se tek individi, njeriu, mashkull apo femër qoftë, nuk janë “uni-seksualë”, pra “një-seksualë”, vetëm të një seksi. Identiteti i tyre seksual nga natyra është i “papastërt”, (“impur”), që e tejkalon seksualitetin e tyre vetëm femëror apo vetëm mashkullor, si një “univers i përzier”, temë kjo mjaft e preferuar e një letërsie jo të pakët të gjysmës së dytë të shekullitXX. Ja pse dhe autori i njohur amerikan, Philip Roth, shkruan se “askush s iKoletë, nuk ka shkruar si ajo rreth seksit”.

Një kritik francez ka shkruar se vitet e luftës për Koletën ishin vite «gri» dhe jo të «zeza». Ai e thotë këtë pasi Koleta nuk u përndoq nga nazistët dhe kolaboracionistët francezë të Vishisë, se librat e saj botoheshin plot lavde në kohën e mareshallit Peten dhe përdoreshin në propagandën e tyre. Por Koleta e urrente luftën, i urrente pushtuesit dhe kolaboracionistët, jo vetëm pse ajo nuk mund ta pranonte nazizmin si fatalitet, por edhe pse shumë miq të saj po zhdukeshin nga terrorii krijuar.

Çifutja austriake Erna Redtenbacher ishte përkthyesja e veprave të saj në gjuhën gjermane. Kur filloi lufta, ajo ishte internuar në një kamp dhe Koleta i shkroi presidentit Georges Mandel, duke kërkuar ta lironin atë. Më së fundi, kjo përkthyese shkoi në shtëpinë e një mikes së tyre në Trinite-sur-Mer,por kur ushtritë e Wermahtit pushtuan Francën, ato vranë veten. Burri i saj Goudeket ishte me origjinë çifute. Edhe ai u arrestua në 12 dhjetor 1941.

Koleta e kujtonte shpesh atë moment të tmerrshëm kur nazistët kishin ardhur në apartamentin e tyre në Palais Royale për ta marrë. Ajo e kishte adhuruar Maurice-in që në mënyrë dinjitoze kishte ikur atë ditë. Dhe miku i saj përfundoi në kampin e të internuarve në Compiegne,prej nga të internuarit i çonin pastaj në kampet e përqëndrimit, në Gjermani. Por Koleta do të luftonte gjersa t’a lironte burrin e saj, të cilin për një kohë e largoi nga Parisi.

Në prag të çlirimit, kur Maurice ishte kthyer në apartamentin e tyre në Palais Royal, një ditë ai shkoi gjer në Quartier Latin dhe në kthim u kap nga një patrullë gjermane, meqë në pasaportën e tij ishte shkruar «hebre». Por ndërkohë ata i zuri bombardimi jo larg muzeut të Louvre-it. Ai u fut diku në një gropë dhe gjatë tri ditëve që kërciste mitrolozi, ai nuk doli që andje, ndërkohë që Koleta e kërkonte si e çmëndur,duke lexuar nëpër listat e viktimave.

Në vitin 1945, Koleta u zgjodh në «Akademinë Gonkourt», ndërsa katër vjet më vonë ajo zgjidhet presidente e kësaj jurie letrare nga më të njohurat. Drama Gigi, (1949), e cila vihet në skenat teatrale amerikane ka një sukses të jashtëzakonshëm. Emri i saj ishte bërë tashmë i përbotshëm. Një vit më vonë i kërkojnë të adoptojë për teatrin romanin La Vagabonde. Më vonë i kërkojnë dhe La Seconde, (E dyta). Pena e saj kërkohet ngado:drama, filma, spektakle…Dhe ndërkohë vitet shkonin. Trupi i balerinës sëdikurshme kishte filluar të krusej.

Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, e shoqëruar nga miku i saj i afërt Kokto, Koleta u takua disa herë me Sartrin dhe Simon de Bovuar, intelektualët e rinj që po shkëlqenin në botën letrare franceze. Madje Sartri e ftoi një ditë për premierën e dramës së tij të re Duart e pista. Pas një prej këtyre takimeve, Simona do ti shkruante të dashurit të saj amerikan Nelson Algren: “Çfarë misteri është kjo grua që ka jetuar një jetë kaq të mbushur, kaq të zjarrtë dhe kaq të lirë…që di kaq shumë dhe për të cilën tashmë gjithçka ka mbaruar”.

Në fundin e jetës së saj, Koleta vuante nga një artrit i tmerrshëm. Gishtërinjtë kishin filluar ti shtrëmbëroheshin dhe të mos i komandonte më. Megjithatë ajo vazhdonte të shkruante si gjithnjê me stilografin e saj besnik, “Parker”. Instituti Kombëtari Arteve dhe të Letërsisë në New York e zgjodhi anëtare nderi të Institutit. Ambasadori amerikan Dillon, do të ngjiste shkallët e apartamentit të saj për të përshëndetur shkrimtaren e madhe.Ndërkohë i shoqi, Maurice, përgatiste botimin e veprave të plota të saj, Œuvres completes.

Një ditë para saj ushfaq i «ëmbli» i dikurshëm, Bertrand de Jouvenel. Nuk ishte më ai djaloshi simpatik që zbulonte botën dhe fshehtësinë femërore, por një burrë pesëdhjetëvjeçar që tashmë ishte bërë i njohur si politolog. Atë ditë ai i solli lulet që asaj i pëlqenin aq shumë, «strelizias». Ishin ato lule që ajo ia kishte zbuluar gjatë udhëtimit të tyre në Algjeri. Ata u panë me dashuri dhe ndënjën një copë kohë të mbytur nga nostalgjia dhe kujtimet e një kohe që nuk ishte shlyer. Ajo nxorri librin e saj të fundit që sapo ishte botuar Paradis terrestres dhe i shkroi dedikimin: «Bertrandit, këtë «Parajsë tokësore», nëse kuptohem siç duhet!…»

Kohë më pas Koleta u detyrua të përdorte një karrocë lëvizëse, pasi edhe këmbët nuk e mbanin më. «Po të kisha këmbë, qoftë dhe një unë do të isha një mbretëreshë e botës», – thoshte ajo me një trisht të madh. Julien Green, i cili e admironte Koletën, një ditë, pasi kishte dalë nga shtëpia e saj, kishte shkruar në ditarin e tij: «Sytë e saj të mëdhenj janë sytë më të bukur të ndonjë femre që kam njohur. Sy të bukur si të një kafshe të mbushur plot shpirt e trishtim.»

Atë vit që vdiq ajo nuk e mbante më stilografin e saj. «Një shkrimtar që s’mund të shkruajë… – pëshpëriste me trishtim ajo. Nuk shkruante më as letra. Miku i saj i afërt, Jean Kokto shkruante se «Koleta është e lumtur nëpër re», pasi shpesh herë e kishte gjetur të përhumbur në një botë tjetër. Një tjetër ditë ajo do të shkruante në ditarin e tij: «Koletën e gjeta shumë keq…Të shkëputur nga bota. Ç’trishtim i madh. Ah, mosha e njeriut. Kështu do të bëhem dhe unë, kështu fillon fundi…»

Ç’kishte qënë vallë jeta e saj? Kokto kujtonte një portret që kishte shkruar shumë vite më parë për Koletën ku ishte shkruar: «Jeta e Koletës!…Skandal pas skandali. Pastaj gjithçka përmbyset dhe ajo ngjitet në rangun e idhujve!…» Në ballkonin e saj ajo kishte një koleksion fluturash. I adhuronte ato. Flutura me krahë shumëngjyrëshe. Një ditë i tha të shoqit: – Vështro! – dhe i tregoi nga koleksioni… Por pastaj nuk foli më. Goja e saj heshti. Në fund tëjetës ajo kishte mundur të shkruante në fletoren e saj:

Do të doja shumë…

  1. – Të rifilloja…
  2. – Të rifilloja…

3…..

Duke menduar, më duket se jo gjithnjë e shkuara ka qënë e gëzueshme këto 81 vjet. Por sa shpejt ka kaluar kjo kohë ?!…

Koleta vdiq më 3 gusht të vitit 1954. Kishte hyrë në vitin e 81 të jetës së saj. Ajo kishte kërkuar që miqtë, të cilët ajo i kishte dashur shumë, mos ta shikonin të vdekur, në mënyrë që të kujtonin vetëm portretin e saj të gjallë. Kisha atë kohë nuk pranoi ti bënte asnjë shërbim apo ceremonial, ndryshe nga nderimet kombëtare dhe ushtarake që iu bënë.

Ky fakt nuk do të ishte ndjerë nëse Graham Green nuk do të shkruante në Le Figaro për këtë gjë, dhe kjo sigurisht ndezi një polemikë ku do të angazhoheshin shumë shkrimtarë dhe miq të afërt të saj. Arkivoli i saj u përcoll në varrezat e Père Lachaise, brohoritur nga turma popullore dhe miqtë, njerëzit e letrave dhe të arteve të tjera. Aragoni shkroi një poemë të bukur për të, të titulluar, Madame Colette.