Përsëri mosmarrëveshje për pronat, kushërinjtë përfundojnë në gjykatë

17.09.2016 10:49:37

Në Gjykatën e Suharekës u zhvillua gjykimi për kontestin pronësor mes kushërinjve.

Ky gjykim nisi pas padisë së Afrim Kryeziut ndaj kushërinjve të Rifat, Jetish e Ilmete Kryeziu nga Suhareka.

Afrim Kryeziu me padi pretendon që prona në emër të Rifat Kryeziut është e tij, në bazë të një ndërrimi pronash të paraardhësve të tyre.

Në gjykatë Naim Qelaj, avokati i Afrim Kryeziut propozoi dy dëshmitarë, por kjo gjë u kundërshtua nga Feriz Gërvalla, avokati i të paditurit Rifat Kryeziu.

“Për faktet gjoja të posedimit janë administruar prova të mjaftueshme, po ashtu janë dëgjuar edhe dëshmitarë. Prandaj e konsideroj të tepërt që mbi këto rrethana të propozohen për t’u dëgjuar edhe dëshmitarë tjerë,” tha avokati Gërvalla.

Pas kundërshtimit të Gërvallës, me mosdëgjimin e dy dëshmitarëve në seancë u pajtua edhe propozuesi Naim Qelaj, ndërsa palët u morën vesh që vetëm të lexohen deklaratat e këtyre dëshmitarëve.

Në seancën e kontestit mes kushërinjve dëshmuan Avni Zeqiri dhe Avni Elshani. I pari me porosi të të paditurit Rifat Kryeziu kishte dërguar kamionë me zhavorr në pronën kontestuese, ndërsa i dyti kishte hapur dhe nivelizuar një rrugë në këtë pronë, gjithashtu i porositur nga Rifat Kryeziu.

Avokati Naim Qelaj propozoi që të dilet në terren me ekspertë të gjeodezisë për t’u konstatuar nëse mes paraardhësve të kushërinjve të përfshirë në kontest pronësor kishte ndërrim pronash.

Gjyqtari Shaban Zeqiraj e miratoi këtë propozim.