Përshëndetje z Fadil Maloku dhe bashkëkombësve që e lexojnë këtë letër timen!

10.09.2019 09:18:43
Nga Aurel Desareti
Nuk këshilloj askënd të anëtarësohet në një parti (sidomos jo intelektualët, jo sot, jo në këto parti), sepse realiteti aktual shqiptar është se nëse dikush e bënë këtë në këto kushte, veçse rrezikon të shes lirinë e tij të gjykimit në shkëmbim të kënaqësisë për të qenë i rrethuar nga shokët. Për fat të keq, me punët hiç por thëniet e mëdha në gojën e qeveritarëve dhe politik-bërësve shqipfolës të partive kryesisht të korruptuara antikombëtare –  pse jo edhe kriminale – deri më tash nuk kanë ndodhur ngjarje të gëzueshme për Vendin dhe Kombin.  
Katedralet që shkatërrohen sot, nuk duhet rindërtuar. Ato s`janë tjetër veçse gurë.
Kaosi do të njehsohet e do të jetojë derisa të vendoset një rend i ri. Megjithatë, nuk ka asgjë që tregon se niveli i inteligjencës në popullin shqiptar është rritur që nga Mesjeta.

 respekt e shëndet për ju
Aurel Dasareti

 

On Monday, 9 September 2019, 10:43:05 pm GMT+2, Fadil Maloku <fadil.maloku@gmail.com> wrote:
1. Aderimi i intelektualit në parti politike në vendet e tranzicionit është bërë sot ekskluzivisht punë interesi meskin klanor, e jo edhe ndonjë lloj ndjenje a fascionimi të caktuar ideologjik. Autoriteti i partisë, ideologjisë, i liderit qoftë ai edhe karizmatik, për një intelektual që ka pretendime e prirje të larta e sublime, përveç që është një “këmishë” shumë e ngushtë ideologjike, ështē edhe një “adresë” e gabuar sociale, që lehtësisht në sy të publikut të gjerë mund të përceptohet edhe si një lloj “tradhëtie” e pakëndshme!
2. “Tradhëtia” që e bëjnë zakonisht pretenduesit e intelektualizmit të njëmendët, në këmbim tē një posti apo interesi të përkohshëm politik, në fakt në faza afatshkurtëra duket si një kalkulim shumë profitabil, por në sosh afatgjata ky këmbim i lirisë së mendimit e gjykimit, në disfavor të pavarësisë personale shndërrohet shumë lehtë në hipokrizi e dëm të pariparueshëm!
3. Pra, intelektuali i vërtetë do të duhej në parim të ishte ashpërsisht i butë, një prokuror i vetvetes, e avokat i interesave të kombit e shtetit. Sepse, vetëm duke bërë “kujdestarinë” e tillë neutrale ndërgjegjësuese, ai arrinë ta mbajë gjallë dhe ta motivojë publikun e fragmentarizuar ideologjikisht, në periudha të dhimbshme e të rrezikshme historike. Ndryshe, nëse bie nën ndikimin e klaneve partiake e ideologjike, ai e humbë të drejtën e kandidimit dhe nominimit jo vetëm në politikë, por çka është më me rëndësi në histori…