Persiatje për kalimin e Urës së Limbit

04.04.2017 11:08:15

(Mendime për rrugën e vështirë të artistit, që dolën vetiu derisa i vetëm pi kafenë në një ambient të madh me shumë pak njerëz.)

Xhek London, nëpërmjet Martin Idën ka paraqitur vështirësitë që ka shkrimtari në rrugën e tij krijuese. Nuk bëhet fjalë për vështirësi të natyrës profesionale, teknike, por për vështirësi të natyrës shoqërore, ekonomike, pasi që do të ballafaqohet me intriga, obstruksione, dhe veshtirësi të ngjashme. Dhe duhet t’i përballojë të gjitha për të arritur suksesin. Ata që kanë pasur personalitet më të fortë, i kanë përballuar dhe kanë triumfuar. Ata që nuk kanë mundur t’i përballojnë, janë thyer dhe nuk kanë arritur suksesin.

Është modeli i shkrimtarit si Honore de Balzak, i cili nuk ka pasur gjithaq vështirësi, por ka pas vështirësi në pranimin e veprave të tij nga publiku. Megjithatë, nuk është ndalur dhe arriti të triumfojë, duke i lënë njerëzimit vepra të mëdha. Marksi dhe Engelsi janë bazuar shumë në veprat e Balzakut për të njohur shoqërinë franceze, dhe shumë vepra, sidomos “Ideologjinë gjermane”, i kanë shkruar bazuar në veprat e Balzakut. Dhe ndikimi i Balzakut te ta në aspektin e siciologjisë letrare, por në përgjithësi në Siciologjinë, është i përmasave të ndikimit të Hegelit në aspektin e Filozofisë, Estetikës, Etikës etj. Mirëpo, nëse filozofinë hegeliane e kanë kthyer përmbys, siç thonë vetë në “Ideologjinë gjermane”, këtë e kanë bërë edhe nëpërmjet të Sociologjisë së Balzakut. Pastaj, është modeli i shkrimtarit si Shekspiri, i cili tragjeditë familjare, pasi i kanë vdekur shumë fëmijë, i ktheu në tragjedi mbretërore. Dhe gjithë ato tragjedi (Shekspiri ka shkruar edhe komedi, poezi, poema), kanë lartësuar Letërsinë agleze, përkatësisht atë elizabetiane, në piedestalin më të lartë, në Piemontin e letërsisë botërore. Edhe pse në vetë kritikên letrare angleze, por jo vetëm në të, ka një tezë sipas të cilës, autorësia i mveshet autorit të “Atlantidës së re”, Frensis Bejkën,madje ka edhe teori se vetë Shekspir është me origjinë arabe dhe se paraardhësi i tij na paskësh qenë sheiku Zbir (nga na paska dal patronimi Sheakspeare), megjithatë vepra e tij e ka bërë të përjetshëm dhe të kësobotshëm njeriun e vuajtur, me plot tragjedi familjare. Dhe veprës së tij i përkulen edhe ata që në to shohin veten të portretizuar si intrigantë, tradhtarë, kriminelë, puthadorë, munafikë etj.

Një model tjetër është modeli i shkrimtarit si Franc Kafka, i cili është model i shkrimtarit të dëshpëruar, të zhgënjyer dhe që ka humbur besimin në vlerat shoqërore dhe në vlerat personale edhe letrare. Dhe arsyen e ka dhênë në veprat e tij e që lidhet me raportin individi-shoqëria, induvidi-aparati shtetëror, e që kanë qenë raporte të tëhuajsimit induvidual dhe shoqëror. Si në “Amerikën”, ashtu edhe në “Procesin”, por edhe në veprat tjera, Jozef K. ka raporte të vështira, me tension të brendshëm dhe që shpërfaqej me mllef, me pezm me mosbesim, dëshpërim. Është e vështirë të thuash se Jozef K. nuk paraqet gjendjet psiko-sociale të vetë Kafkës. Fundi tragjik i Kafkës, dëshpërimi i thellë, mosbesimi i skajshëm në vlerat shoqërore dhe personale që e kishte shtyrë t’i digjte veprat e tij, dhe t’ia linte amanet Maks Brodit që të digjte gjithë veprat e tij, edhe ato në dorëshkrim, paraqesin dramën më të rëndë personale, por edhe të shoqërisë së kohës si dëshmi se çka ndodh në kontekste shoqërore dhe shtetërore të vrazhdta, me kriza të thella morale që tëhuajsojnë shpirtin e artistit. Ndoshta Kafka nuk ka kuptuar drejt Martin Idënin, ose ka qenë i pafuqishêm për të pêrballuar vështirësitë! Gati si ky është Xhorxh Gordon Bajroni, por për arsye të tjera, ndër to edhe orientimin e tij seksual, që e çuan në vendimin për ta braktisur Anglinë. I revoltuar do të thoshte: Nëse Anglia ka të drejtë, unë nuk jam i denjë për Anglinë! Nëse unë kam të drejtë, Anglia nuk është e denjë për mua!

Një model tjetër i shkrimtarit është Herman Hesse, i cili paraqet modelin e shkrimtarit që largohet fare nga konteksti shoqëror gjerman dhe futet në labirinthin e Lindjes së Largët. “Demiani”, ” Sindarta” dhe shumë të tjera janë kryevepra në të cilët shfaqet një sistem, edhe transcendental, një korpus ndjenjash, mendimesh, fantazish, marrëdhëniesh të individit e veten e tij, me transcedenralen, me grupin, me vlerat që bota e Hesses i kishte humbur.

E kur Dante Alighieri kishte dashur ta përjetësonte dashurinë ndaj Beatriçes 9 vjeç, ndërkohë që ai ishte në të 35, dhe t’i hakërrehej apo edhe t’i hakmerrej botës që e rrethonte, krijoi “Komedinë hyjnore”, duke ndëshkuar me Ferr gjithë ata që në shoqëri të ndryshme moderne vazhdojnë ta vrasin Abelin si Kaini, dhe t’ia bëjnë rrugën artistit edhe më të vështirë se të Martin Idënit, më të vështirë se kalimin e Urës së Limbit…