Personi që shkroi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, as pas 11 vjetësh nuk u pagua për punën që bëri

17.02.2019 16:12:57

17 shkurti i vitit 2008 kaligrafistin Shyqri Nimanin e gjeti duke i bukurshkruar 6.991 karakteret që formuan 1254 fjalët e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, që u kaligrafuan në pergamenën e dhuruar nga Londra.

Nimani në një rrëfim për KosovaPress, ka shpalosur emocionet edhe njëherë presionin e atyre 16 orëve punë, si dhe ka shprehur indinjatën e tij ndaj udhëheqësve politik që asnjëherë nuk ia shpërblyen financiarisht mundin e tij, ashtu siç vepruan ndaj të gjithë tjerëve që mundësuan realizimin sa më të kompletuar të ditës së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Nimani duke rrëfyer për 17 shkurtin e vitit 2008, tha se kaligrafimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovë në rend të parë ka qenë historik, por edhe përgjegjësi e madhe për të.

Për bukurshkruesin e këtij dokumenti të rëndësishëm për momentumin e pavarësisë së Kosovës ishte e vështirë ta kryente gjithë atë punë për vetëm 16 orë, ndonëse, ai kishte kërkuar 1 javë kohë.

“Për mua ka qenë një përgjegjësi e madhe. Unë kam qenë 10 ditë më herët para se ta shpallim këtë deklaratën e pavarësisë, kam qenë i njoftuar dhe u kam thënë kompetentëve atje që mua më nevojitet një javë ditë që ta bukurshkruaj, ta kaligrafoj… Dhe kam thënë se nevojitet një letër A4 nëse tekstin komplete dhe unë të punoj një javë ditë për ta ilustruar, t’ia bëjë këto inicialet e bukura tjera dhe të jetë tamam një deklaratë zakonisht çfarë janë në botë në këto raste, sepse ato punohen njëherë gjatë jetës së një artisti…. Unë kam qenë shumë i emocionuar për arsye se atë natë kur e pash ishin katër faqe A4 dhe mua prej atij momenti kisha në dispozicion vetëm 16 orë, dhe normal ajo ma mori të gjithë prokupimin dhe unë u deshtë ta lexoja tekstin, ta studioja”,tha ai.

Kaligrafimin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës edhe më të vështirë ia bënë gabimet drejtshkrimore, të cilat po ashtu ai thotë se i morën kohën e çmuar dhe të paktë që kishte në dispozicion.

Duke i parë pamundësitë për ta zbukuruar deklaratën, profesori tregon se si erdhi deri tek përzgjedhja e stilit të shkronjave të këtij dokumenti, i cili po shkruhej në një pergamenë të vërtetë që ishte dhuratë nga Londra.

“Kam qenë nën tension të përhershëm, nuk kam qenë kurrë nën tension në jetën time dhe me një moment kur ka kaluar pas mesnate, edhe 4 apo 5 orë kam menduar që do të dështoj përherë të parë thash në jetën time nuk kam me mundur me e kryer një detyrë… Mu kujtua ‘Formula e pagëzimit’ e cila është e shkruar në italik edhe unë thash po e bëjmë një vazhdimësi edhe historike edhe është shumë e bukur,  subtile. Shkruhet shpejt, është e pjerrët edhe arrita me këtë stil me të vërtet e kam përdorë shumë here dhe arrita me e përfundua”,ka theksuar ai.

Për shkruesin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, mëkat i madh ka qenë mënyra se si nuk u lejuan mediat kosovare të merrnin pjesë në këtë ngjarje historike për shtetësinë e Kosovës.

Derisa po mendonte se si t’ia dilte ta kaligrafonte Deklaratën e Pavarësisë, profesori tregon se si i ishte ofruar shefi i protokollit të Qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe i kishte propozuar që në kontratë për punën që bënte ai, autore të figuronte edhe Qeveria. Kontratë të cilën ai thotë se asnjëherë nuk e nënshkroi, dhe nuk mori asnjë cent për kontributin e tij që e dha.

“Abedin Çupeva i ndjeri, një djalosh i jashtëzakonshëm në atë kohë ishte zëdhënës i Qeverisë edhe ai më tha profesor mund ta bëjmë këtë kontratën sonte nuk mundemi ,por të hënën që vije për arsye se kemi dëshirë që përpos jush të jetë edhe Qeveria ta ketë autorësinë. Unë po i them Abedin i dashur nuk kam kohë të mendoj për kontratën, nuk është me rendësi ajo për mua….Unë kam menduar që në atë kohë janë ndarë 600 mijë euro edhe sot dëgjova që kanë ndarë gjithashtu për festimin, për përvjetorin e 11-të, 500 mijë euro. Kam dëgjuar gjithashtu që të gjithë që kanë marrë pjesë me orkestra, me tjera ai që ka bërë flamurin, ky që e ka bërë himnin, për NEWBORN-in. Por unë asnjëherë deri më sot nuk kam shkuar për të kërkuar me bë kontratën. As që dikush më ka thirr që të ma bëjë kontratën dhe të ma bëjë pagesën”, u shpreh kaligrafuesi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Sipas bukurshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, Shyqri Nimani 11 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vendin e gjen në nivel të dobët, qoftë në aspektin e punësimit dhe perspektives për të rinjtë.

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës me iniciativë nga Muzeu i Kosovës, nga tetori i vitit 2017, u shpall nën mbrojtje me Listën e përkohshme të mbrojtjes së monumenteve të kulturës.