Përurohet busti i Madeleine Albright: Jam shumë e nderuar, ky vend do të thotë shumë për mua

12.06.2019 15:36:56

Është përuruar busti i ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, afër monumentit të ‘New Born-it” në Prishtinë.

Ky bust është ngritur në shenjë falënderimi në 20 vjetorin e ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

“Jam shumë e nderuar që të kem një bust në Prishtinë. Faleminderit shumë për këtë nder kaq të madh. Ky vend do të thotë shumë për mua”, ka thënë ish-sekretarja Albright.

Përveç kësaj, ish-sekretarja në shaka ka thënë: “Faleminderit që më keni bërë kaq të gjatë”.

Tani sheshi ku është vendosur busti do ta mbajë emrin “Madeleine Albright”. Ndryshe, gjatë ditës në Kosovë, përveç ish-sekretares Albright janë duke qëndruar edhe ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ish-gjenerali Wesley Clark, dhe personalitete të tjera nga rajoni dhe bota.

Ardhja e tyre në Kosovë përkon me shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s, në qershor të vitit 1999. Ish-sekretarja Albright, gjatë ceremonisë zyrtare për shënimin e 20 Vjetorit të Hyrjes së Trupave të NATO-s në Kosovë, ka mbajtur një fjalim.

Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright ka thënë se ndjehet e lumtur  që është prezentë në Kosovë.

“Kam kënaqësinë që jam këtu me ju. Lufta në Kosovë ka qenë një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcave, ne diskutuam se si aleanca jonë ishte bashkuar dhe më e rëndësishmja ishte se ia dolëm”.

Ajo ka shtuar se vendimi për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, nuk ka qenë vendim i lehtë, duke zbuluar bisedën që kishte bërë atë kohë me presidentin e 42-të të SHBA-ve, Bill Clinton.

“Nuk ishte vendim i lehtë, dhe kemi pasur shumë diskutime, dhe presidenti Clinton më telefonoi në mbrëmje dhe më tha planet tona janë nisur dhe ne po e bëjmë gjënë e duhur, i thash po z.kryetar ne po e bëjmë gjënë e duhur…”, ka deklaruar Albright.