Pesë komuna përfituese të granteve nga Qeveria japoneze

09.03.2017 17:03:21

Qeveria japoneze ka nënshkruar sot në Prishtinë kontrata për pesë projekte të ndryshme. Nga këto projekte do të përfitojnë komuna e Kaçanikut, Lipjanit, Deçanit, Dragashit dhe Klinës.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj kontrate, pjesëmarrës ishte ambasadori i Japonisë në Austri për Kosovën, Kiyoshi Koinuma , i cili tha se Qeveria e Japonisë deri tash ka ndihmuar Kosovën në projekte të ndryshme, vlera e të cilave ka shkuar deri në 1.2 milionë euro.

“Sot nënshkruaj 5 kontrata për grante, secili projekt i iniciuar për të përmirësuar standardin e jetës së qytetareve të Kosovës. Projektet GGP janë zbatuar në Kosovë edhe para pavarësisë së saj. Këtë vit për herë të parë në vetëm një vit fiskal, Qeveria e Japonisë ka miratuar një total prej 5 projekteve në Kosovë. Shuma totale e granteve është 319 mijë e 982 euro”, ka thënë Koinuma.

Ai ka theksuar se shuma që është ndarë për këtë vit është më e larta që është ndarë për këtë vit nga Qeveria japoneze.

Njazi Ilazi, nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Kaçanik, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës i ka falënderuar popullin dhe Qeverinë japoneze për ndihmën që i ka ndarë.

Komuna e Kaçanikut për projektin për pajisjen e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) ka përfituar nga ky grant 52 mijë e 715 euro.

Me këto mjete, komuna do të pajiset me një autoambulancë dhe një minibus.

Po ashtu edhe QKMF në Dragash do të përfitojë grant në vlerë prej 72 mijë e 880 euro të cilat do të mundësojnë blerjen e pajisjeve mjekësore.

Me 68 mijë e 229 euro do të përfitojë Komuna e Klinës e cila do të pajiset me një autoambulancë, minibus dhe aparaturë mjekësore.

Komuna e Deçanit ka përfituar 67 mijë e 475 euro e cila ka planifikuar të pajiset me një automjet të ri zjarrfikës.

Ndërsa Komuna e Lipjanit do të përfitojë 68 mijë e 683 euro me të cilat kanë për qëllim rehabilitimin e Shkollës Fillore dhe të Mesme të ulët “Dy Dëshmorët”.