Pezullohen nga puna një drejtor dhe një punëtor në ASK për shmangie parash

08.09.2017 22:41:52

Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka pezulluar nga puna drejtorin e i Departamentit të Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare, Ilir Berisha si dhe punonjësin në këtë departament, Nysret Sylejmani.

Ndaj tyre është iniciuar procedura disiplinore për shkelje të rëndë.

Sipas Komisionit Disiplinor të ASK-së, fjala është për moskthim të mjeteve buxhetore me kohë, lidhur me mëditjet dhe akomodimin për një udhëtim zyrtar në Shqipëri (pjesëmarrje në një punëtori).

“Tani, buxheti i ASK-së nuk është dëmtuar pasi që para shqyrtimit të Komisionit disiplinor personat i kanë kthyer në tërësi, në mënyrë vullnetare duke pranuar fajin, shumën e cila nuk iu ka takuar, dhe atë: Z. Ilir T. Berisha ka kthyer shumën dyqind e katërdhjetë e pesë  euro e shtatë centë (245.07 euro) dhe z. Nysret Sylejmani ka kthyer shumën katërqind e dhjetë euro e trembëdhjetë centë (410.13 Euro)”, thuhet në komunikatë.

Sipas Vendimit të Komisionit Disiplinor është marrë masa ndëshkuese: Pezullim i ushtrimit të detyrave dhe ndalimin e 1/3 së rrogës për një periudhë deri në dy (2) muaj, e cila masë ka filluar së zbatuari prej datës 04.08.2017.

“Tashmë, Komisioni disiplinor ka marrë masat e parapara sipas gjendjes faktike dhe legjislacionit në fuqi. Komisioni u ka dhënë të drejtë ankese në Komisionin për Zgjidhjen e Kontesteve  dhe Ankesave në ASK, në afat prej 30 ditësh, nëse këta dy punonjës të ASK-së dëshirojnë të ankohen”.

“Vlen të theksohet, që pavarësisht prej inicimit për shkelje të rëndë-serioze bazuar në Rregulloren Nr. 04/2011 për Procedura Disiplinore në Shërbimin Civil të Kosovës, Komisioni Disiplinor gjatë Vendimit të vetë përfundimtar ka marrë në konsiderim, si rrethanë lehtësuese, pranimin e fajit dhe kthimin e mjeteve të lartcekura në mënyrë vullnetare, para shqyrtimit të rastit në Komision”, përfundon komunikata.