Pika nga e cila mund të ngritet dhe rrëshqas LDK-ja!

07.10.2019 00:31:05

Shkruan: Florim Zeqa

Shikuar nga pozicioni i pavarur analitik, përfshirja e themeltarëve të LDK-së në listën zgjedhore, jo vetëm që nuk ishte në nivelin e duhur, ishte e mangët dhe diskriminuese.
Pas vdekjes së liderit shpirtëror të LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, asnjëherë nuk ka pasur vëmendje të duhur ndaj themeluesve, aktivistëve dhe veprimtarëve më të devotshëm të këtij subjekti politik.
Në vend të afrimit, ndodhi injorimi dhe largimi me përbuzje i tyre. Kjo erdhi si rezultat i ambicieve të sëmura për pushtet, inateve personale dhe egoizmit njerëzor, të shprehura në forma dhe përmbajtje të ndryshme, varësisht prej rrethanave të kohës dhe momentumit politik.
Infiltrimi dhe kyqja e elementeve destruktive në partinë e besës dhe shpresës së shqiptarëve të Kosovës, krijimi i klaneve dhe grupeve të interesit, përveq lëndimit të imazhit të subjektit politik, e ka dëmtuar në masë të madhe të ardhmen e vendit dhe ka thyer shpresat e qytetarëve.
Angazhimi i familjarëve të veprimtarëve të vrarë në LDK, pa bërjen asgjë për zbardhjen e vrasjes së prindërve të tyre, më duket se është pak më tepër se hipokrizi dhe abuzim, është lojë për përfitimin e votës së elektoratit e jo më shumë se kaq.
Infuzioni i gabuar, rrezikon shëndetin e partisë
Subjekti politik forcohet me reforma të thella dhe përmbajtësore e jo me “infuzione” të çastit, sa për të kapërcyer një momentum politik, përkthyer në gjuhën shëndetësore, i sëmuari kronik nuk shërohet me një “antibiotik”, por me një analizë të thellë dhe kurim permanent.
Thënë ndryshe, kujdesi ndaj themeluesve të LDK-së, ndaj veprimtarëve të gjallë dhe familjarëve të veprimtarëve të vrarë duhet të jetë permanent dhe i sinqertë, e jo vetëm kur dikujtë i duhet për vota për arritjen e qëllimeve personale të grupeve të interesit në këtë subjekt politik.
Çelësi i suksesit të LDK-së, është i lidhur ngusht me çasjen ndaj angazhimit të themeluesve dhe veprimtarëve që aktualisht ndodhen në Diasporë dhe rifreskimit me kuadro të reja, të pastra, të padjallëzuara dhe të pa infektuara nga sindromi kancerogjen i korrupsionit dhe krimit të organizuar.
 “Kurbani nuk mbahet natën e Bajramit”
Kritikat e mia të buta për kandidaten e LDK-së për kryeministre, nuk ishin personale por parimore, dhe kishin të bënin kryesisht me kohën dhe mënyrën e emërimit (kandidimit) të zonjës Vjosa Osmanit për kryeministre të vendit.
Kandidimi i zonjes Vjosa Osmani vetëm 5 minuta para orës 12-të, nuk erdhi nga gjeneroziteti dhe dëshira e kryetarit dhe as e kryesisë qendrore, por erdhi nga frika e ndëshkimit nga elektorati për shkak të procesit të deformuar zgjedhor të partisë.
Kandidimi i zonjes Vjosa Osmani dhe emërimi i disa të tjerëve për deputet nuk ishte bërë për të mirën e LDK-së, sa ishte bërë për shpëtimin e klanit të Isa Mustafës nga ndëshkimi në zgjedhje.
Mjafton të shiqohet renditja e deputetëve në listën zgjedhore, ku i gjithë klani i Isa Mustafës janë vendosur në fillim, pastaj të tjerët janë ranguar më poshtë, shumë për t’i djegur sesa për të fituar.
Edhe diçka, mospërfshirja në listën zgjedhore dhe joshja e Donika Gervallës për post qeveritar ishte me prapavijë, jo për ta nderuar, por për ta neutralizuar atë gjatë fushatës zgjedhore.
Lideri aklamacionist Isa Mustafa me klanin e tij, në kërkim të përmirësimit të imazhit të tij dhe të LDK-së së dërmuar nga procesi i brendshëm partiak, shpëtimin e kërkuan tek Vjosa Osmani, duke nxjerrë atë nga vendi i 81-të nga zgjedhjet e kaluara në pozitën e nënkryetares së partisë dhe kandidate për kryeministre.
Bazuar nga rezultatet preliminare, fitorja e LVV-së dhe pozicioni i dytë i LDK-së nga zgjedhjet e 6 tetorit, shënon një momentum të ri politik dhe një pikë të re nga e cila LDK-ja nuk mund të ngritet më shumë se kaq, por që rrezikon të rrëshqas shumë më thellë në humnerë me një rival politik, me të cilin jo vetëm që nuk u dakorduan për koalicion parazgjedhor, kanë dallime të mëdha konceptuale, programore dhe ideologjike.
Ashtu sikurse lideri i PDK-së, që e pranoi humbjen dhe kaloi në opozitë, edhe LDK-ja duhet ta pranoi humbjen dhe të qartësoi pozicionin e saj në raport me VV-në, përkatësisht, se a e do më shumë pushtetin në prehrin e VV-së apo preferon ngritjen e saj si parti politike e qendrës së djathtë, që synon zhvillimin e vendit në staza të gjata sipas linjave programore dhe në përputhje me profilizimin e saj politik.