‘Ping-pongu’ me gjyqin ndaj Shullazit, caktohet gjyqtarja që pritet t’i japë fund ngërçit

20.05.2019 17:30:31

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka caktuar gjyqtarin e tretë në trupën gjykuese të dosjes së grupit të Emiljano Shullazit. Mësohet se gjyqtarja e caktuar në detyrë është Valdete Hoxha. Ajo është gjyqtare prane Apelit të Krimeve të Rënda.

Kujtojmë se procesi shtyhej me disa seanca, për shkak se trupa gjykuese kishte mbetur me vetëm dy gjyqtarë. Gjyqtarja Saida Dollani ishte e fundit që u largua pas kallëzimit të Blerim Shullazit për shpërdorim detyre,  duke e lënë çështjen në pamundësi të avancimit. Por tashmë ky ngërç merr fund.

Emiljano Shullazi dhe grupi i tij u shpallën fajtorë për veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënin e pasurisë”, ndaj Ylvi Beqajt. Sipas Gjykatës kjo vepër penale u krye në formën e grupit të strukturuar kriminal. Por pas dënimit nga Shkalla e Parë, grupi i Shullazit e apeloi vendimin.

Emrat e të dënuarve janë: Emiljano Shullazi 14 vjet, Gilmando Dani 12 vjet burg, Endri Qyqa 10 vjet burg, Endri Zela 10 vjet burg dhe për Blerim Shullazi 9 vjet burg.