Pirateria, vijon në gjykata beteja Maks Velo me Iris Elezin

13.09.2018 00:09:56

Regjisori Kujtim Cashku ka vënë alarmin tek pirateria që ekziston në artin shqiptar, gjatë konsultës së mbajtur mbi Strategjinë Kombëtare për Kulturën për 6-vjeçarin e ardhshëm (2019-2025) ku merrnin pjesë kineastë e përfaqësues të Ministrisë së Kulturës.

“Unë mendoj se është një krim monstruoz që ka ndodhur në Shqipëri dhe vazhdon akoma të jetë i legjitimueshëm edhe pse janë krijuar struktura, institucione e ligje. Përgjithësisht kjo frymë plagjaturistësh, njerëzish që mund të grabisin në të gjitha format, të përvetësojnë gjëra dhe të marrin pozicione të ndryshme në shoqëri, ky është vërtet legjitim i një portreti të papërshtatshëm për të menduar se mund të krijojmë një emancipim tërësor në kinematografi”, tha Cashku.

Një nga rastet më flagrante të piraterisë në kinematografinë shqiptare është ai I filmit Bota ku regjisorja Iris Elezi ka marrë subjektin nga novela “Klubi Karavasta” e Maks Velos pa I dhënë këtij të fundit as autorësinë as të drejtat.

Çështja Velo-Elezi vijon të jetë ende dyerve të gjykatave, ku artisti vijon betejën në mbrojtje të veprës, pa ndihmën e institucioneve të shtetit. Mjafton të lexosh novelën e Velos e të shohësh filmin e realizuar nga Elezi për të kuptuar se e gjithë ngjarja është ndërtuar mbi këtë vepër. Dhe pse filmi ka shumë bashkë- prodhues askush nuk ka marrë përgjegjësinë mbi këtë ngjarje, dhe Velo vijon i vetëm betejën në gjykata.