Pjesëtarët e FSK-së të suksesshëm në arenën ndërkombëtare (Video)

02.08.2017 22:18:00

Kosova po merr pjesë në konferencën e Kartës së Adriatikut që po mbahet në Podgoricë, ku bashkë me disa shtete të rajonit, është në cilësinë e vëzhguesit.

Sidoqoftë, Forca e Sigurisë së Kosovës, viteve të fundit ka bërë përparime të dukshme, gjë që dëshmohet edhe me çmimet ndërkombëtare që kadetët e saj kanë marrë në vende të ndryshme të botës. Njohësit e çështjeve të sigurisë vlerësojnë se vetëm ligji për FSK-në mbetet problem që duhet zgjidhur.

Rilind Idrizi është nëntogeri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, i cili ditë më parë u shpall si “Studenti më i mirë ndërkombëtar” në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar. Nëntogeri Idrizi tregoi performancë të jashtëzakonshme në fushën e studimeve ushtarake, akademike dhe praktike.

Çmime të ngjashme morën edhe shumë pjesëtarë të tjerë të FSK-së, të cilët u dëshmuan kudo që u paraqitën, sikurse Feti Pronaj, Arlind I. Bajrami, Ismail Hoxha e të tjerë. Madje ky i fundit ishte shpallur kadeti më i mirë në një konkurrencë të madhe nga 30 shtete të botës. Shpatën e nderit, kadetit kosovar ia pat dorëzuar princi Çarls, i cili pati shumë fjalë të mira për kadetin.

E, Xhevahir Hasanaj, i cili këtë vit mori çmimin si kadeti më i mirë i huaj në fushën ushtarake, akademike dhe praktike, këtë çmim e vlerëson të një rëndësie të veçantë.

Me gjithë çmimet e pjesëtarëve të FSK-së, ky institucion mjaft i rëndësishëm i sigurisë në vend vazhdon të mbetet jashtë anëtarësimit dhe përfaqësimeve në shumë nisma rajonale, përshirë këtu edhe atë të Kartës së Adriatikut.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se kjo gjë po ndodh për shkak të mostransformimit të FSK-së në Forca të Armatosura.

Ibishi shtoi se prezenca e zëvendëspresidentit amerikan në konferencën e Kartës së Adriatikut, flet për interesimin e SHBA-së për ta penguar ndikimin ruso-turk në Ballkan.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në A-5 në vitin 2012, por për shkak të shumë rrethanave, anëtarësimi i saj është shtyrë. Megjithatë, Kosova ka marrë pjesë në disa prej aktiviteteve dhe ngjarjeve të kartës në cilësinë e vëzhguesit.