Plaket Jugu i Shqipërisë. Vdekjet, më të larta sesa lindjet

16.10.2016 15:16:48

Rritja natyrale e numrit të popullsisë u përgjysmua në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Instituti i Statistikave raporton se, numri i lindjeve pësoi një rënie prej 23%, ndërsa ai i vdekjeve me 8%.

Por, krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti, shtesa natyrore e popullsisë është trefishuar. Sipas INSTAT-it, në tremujorin e parë popullsia u shtua me 423 persona, ndërsa në tremujorin e dytë me 1.393 persona.

Me vlerë negative të shtesës natyrore të popullsisë janë qarqet e jugut, Gjirokastra, Vlora, Korça dhe Berati, që do të thotë se numri i vdekjeve ka qenë më i lartë sesa numri i lindjeve.

Me rënie është edhe numri i martesave në shkallë vendi, me më shumë se 1.000 njësi.

Shtesa natyrore e popullsisë shpreh ndryshimin e numrit të popullsisë si rezultat i proceseve biologjike, lindjeve dhe vdekjeve të saj, gjatë një periudhe kohe.