Plani Kombëtar për MSA-në, nga 158 veprime u realizuan vetëm 44

17.09.2016 12:35:27

Grupi për Studime Juridike Politike ka kritikuar institucionet e Kosovws lidhur me moszbatimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, duke vlerësuar se nga 158 veprime sa kanë qenë të parapara të ndërmerren nga institucionet, janë realizuar vetëm 44 veprime.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes e parë kontraktuale me Bashkim Evropian, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, me qëllim të përmbushjes së suksesshme të obligimeve të cilat rrjedhin nga kjo marrëveshje, Qeveria e Kosovës me 16 dhjetor të këtij viti miratoi Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, duke obliguar të gjitha institucionet përgjegjëse që t’i kryejnë detyrat në zbatim të MSA-së.

Grupi për Studime Juridike Politike (GSJP), ka vlerësuar se asnjë nga institucionet nuk ka marrë përsipër të mbajnë përgjegjësi për këto veprime që nuk janë përmbushur.

Hulumtuesja e Grupit për Studime Juridike Politike, Albana Merja në një konferencë për media ka treguar se në gjashtë mujorin e parë që kanë qenë të paracaktuara 158 veprime për t’u ndërmarr, janë realizuar vetëm 44 veprime.

Merja tha se në konkluzionin tjetër që GSJP ka parë është edhe mos koordinimi i mirëfilltë midisi institucioneve për të arritur punën që ato kanë.

“Nga vlerësimi total që ne i kemi bërë planit kombëtar për zbatimin e MSA-së, për gjashtë mujorin e parë kanë qenë të paracaktuara 158 veprime për t’u ndërmarr dhe janë realizuar vetëm 44 veprime, pra vetëm një e treta e totalit ose 27 përqind e totalit të arriturave. Nga veprimet e mbetura ka pasur veprime që janë ndërmarr më vonë, një numër i caktuar por nga 114 veprime që kanë mbetur asnjëra nga to nuk është ndërmarr në kohë. Një konkluzion tjetër që Grupi për Studime Juridike Politike ka parë është edhe pikërisht  se nuk ka një koordinim të mirëfilltë midis institucioneve për të arritur punën që ato kanë, gjithmonë kanë ngelur pa u përmbushur pikërisht obligime që kanë përfshirë dy, tri institucione apo dy tri ministri”, tha Merja.

Monitorimi i këtij plani të MSA-së për gjashtë mujorin e parë, sipas Merja, nëse do të vazhdojë në këtë mënyrë, atëherë zbatimi i MSA-së do të kërkojë shumë kohë për t’u zbatuar deri në fund.

“Asnjë nga këto institucione nuk e merr përsipër të mbajë përgjegjësi për këto veprime që nuk janë përmbushur. Ministria e Integrimeve është ministria e që e koordinon  gjithë procesin por në vetvete secili institucion obligimet që i ka që i ka marrë duhet t’i përmbush dhe të mbajë përgjegjësi për ato veprime sepse me këtë ritëm që po ecët deri tani Marrëveshja e Stabilizim Asociimit do të kërkoj shumë kohë për t’u zbatuar deri në fund’, tha Merja.

Grupi për Studime Juridike Politike, ka rekomanduar që institucionet e Kosovës të prioritizojnë të gjitha obligimet që kanë ndërmarr dhe të hartojnë ligjet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe ligjet që kanë të bëjnë me bërjen e bizneseve në Kosovë.

GSJP gjithashtu ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të përmirësojë kontrollin e performancës së institucioneve nën menaxhimin e saj dhe institucioneve tjera duke kërkuar nga këto të fundit që jo vetëm të raportojnë por edhe të plotësojnë objektivat në kuadër të  këtij procesi./Indeksonline/