Plani urbanistik i Himarës, Greqia: Po shkelen të drejtat e minoritetit

01.09.2017 10:38:18
Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias

Ministria e Jashtme greke e quan shkelje të të drejtave të minoritarëve planin urbanistik të miratuar një ditë më parë gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Himarës.

Mbledhja e zhvilluar në fshatin Kuç, që nisi me tensione deri në largimin e përfaqësuesve të PBDNJ-së, është komentuar nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Aleksandros Gennimatas.

“Autoritetet shqiptare duket se e konsiderojnë shkeljen e të drejtave të pakicës kombetare greke si më të rëndësishme sesa ecuria europiane e vendit”, ka deklaruar zëdhënësi gjatë një konference për shtyp.

Protestues me në krye Fredi Belerin, kryetarin e Omonias në  Himarë dhe biznesmenin Nikollaq Neranxi u përpoqën të hynin në sallën e improvizuar për mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Plani më pas u miratua nga këshilltarët e PS-PD e LSI, të cilët diskutuan me konsensus mbi planin e përgjithshëm vendor të Himarës, që pritet ta transformojë rrënjësisht këtë zonë.