Platforma pesëpikëshe e Kadri Veselit, platformë për unifikimin e përgjegjësisë për krijimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive?

08.05.2018 15:59:04

Nga Rexhep Kastrati

Në prag të takimit të parë të partive politike të ftuar nga LDK, Kadri Veseli doli me një platformë pesëpikëshe, katër nga të cilat kanë të bëjnë me negociatat në Bruksel, apo varen nga ato, kurse vetëm një varet nga konteksti politiko-institucional i Kosovës.

Është kështu për faktin se nga negocitat në Bruksel (pika e parë e platformës së Kadri Veselit), ka dalë edhe Marrëveshja e 19 prillit 2013 ku ishin vënë themelet e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (Pika e dytë), e nga e cila do të varet edhe çështja e transformimit të FSK-së në FA (Pika e tretë), si dhe proceset integruese euro-atlantike (Pika e katërt).

Negociatat në Bruksel kanë filluar në bazë të një rezolute të Asamblesë Parlamentare të OKB-së, të miratuar në vitin 2010, e cila rezolutë kishte marrë parasysh vendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës, si dhe kishte detyruar palët: Serbinë dhe Kosovën që të përfshiheshin në një proces negociator nën lehtësimin e BE-së.

Këto negociata i kanë filluar dhe janë udhëhequr nga Hashim Thaçi si kryeministër, gjatë të cilës kohë edhe ishin arritur marrëveshjet kryesore dhe më të rëndësishme dhe më të dëmshme për vendin.

Mirëpo, gjatë këtyre negociatave, çështja kryesore doli të ishte Asociacioni, i cili sipas Marrëveshjes së 19 prillit 2013, e kishte të hapur mundësinë për shndërrimin e tij në një “Republika Srpska”, sidomos në arsim, shëndetësi, urbanizëm, siguri etj.,

Edhe pse nuk është thënë tekstualisht nga institucionet e Kosovës, megjithatë, çështja e Asociacionit dhe kompetencat ekzekutive për të, janë kusht që serbët të japin votën për ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së në FA, e që do të thotë edhe krijimi i një strukure ushtarake nën autoritetin e Asociacionit, ashtu siç është një strukurë e policisë së Kosovës nën autoritetin e katër komunave me shumicë serbe.

Gjatë viteve, çështja e Asociacionit ka dalë më në pah dhe ka mbetur çështja kryesore edhe në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, dhe gjithë trysnia e Brukselit është që ky Asociacion të bëhet.

Çështja është te formati dhe kompetencat që do t’i ketë ky Asociacion, e që duket se janë negociuar më parë nga Hashim Thaçi, kurse tash nëpërmjet Kadri Veselit po synohet që të bëhen pjesë e përgjegjësisë sëspektrit politik në Kosovë.

Kur them këtë kam parasysh faktin se ambasadorja e atëhershme eSHBA-ve, Trejsi En Xhekobson, kishte tërhequr vërejtjen në dhejtor 2013 që të kihet kujdes të mos krijohet “Republika Srpska” në Kosovë, e që ishte fshehur në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, në themelimin dhe fitoren e bujshme të listës “Srpska” dhe zhurmës që ishte bërë për transformimin e FSK-së në FA.

Atëbotë, por edhe gjatë vitit të kaluar, Hashim Thaçi dhe të tjerë kishin akuzuar Isa Mustafën se kishte prishur konsensusin e serbëve për të votuar më 2014 ndryshimet kushtetuese për transfomimin e FSK-së në FA, pasi që kishte kundërshtuar vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës për pakicat.

Ndërkohë, serbët, po më 2014 kishin paralajmëruar synimin që në kuadër të FSK-së të ishte një strukurë për komunitetin serb, e që do të thotë synim për një ushtri serbe në Kosovë.

Gjatë viteve, LDK ka pasur qëndrime pak më të ndryshme nga ato që kishte Hashim Thaçi, duke filluar që nga qëndrimi presidentit Sejdiu ndaj vetë negociatave në Bruksel, i kryetarit të LDK-së Isa Mustafa për rezervat fillestare ndaj këtij procesi, e deri te vendosmëria e tij që Asociacioni të mund të themelohet vetëm në bazë të vendimit të Gjykatës kushtetuese, e cila kishte herrë Marrëveshjen e 25 gushtit 2015, nga të gjitha zgjidhjet e dëmshme të marrëveshjes së 19 prillit 2013.

Tashmë kur shumëçka ka rrjedhë dhe kur janë zhvilluar edhe takime sekrete të hashim Thaçit me Vuçiqin dhe kur janë negociuar edhe çështja e shkëmbimit të terrotirit si formë e ndryshimit të kufijve në rajon, dhe kur janë dhënë afate se kur do të duhej të krijohej Asociacioni ( katër muaj), është e qartë se procesi ka hyrë në një fazë përmbyllëse kur do të kalohet nga letrat në veprime, e edhe për çështjen e ushtrisë ka një nxitim për t’u bërë, dhe kur pritet që muajin tjetër të ketë një vendim të KE-së për çështjen e liberalizimit të vizave, është e qartë se interesi i Hashim Thaçit dhe kadri Veselit për të përfshirë edhe partitë tjera në këtë proces, është mjaft i madh.

Të katër pikat e platformës së Kadri Veselit: negocitat në Bruksel, përkatësisht përmbyllja e tyre, ushtria dhe procesi i integrimit euro-atlantik, do të varen nga Asociacioni dhe nga kompetencat që do të ketë. Nuk mund të përjashtohet mundësia që edhe liberalizimi i vizave të kushtëzohet nga Asociacioni.

Është kështu për faktin se në qershor, KE të thotë se qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza në shtetet e BE-së nga dhejtori i këtij viti, apo nga janari i vitit 2019, por deri atëherë duhet të përfundojë hartimi i Statutit të Asociacionit.

Në fakt, ndërlidhja e Statutit të Asociacionit me transfomimin e FSK-së në FA dhe me procesin e integrimit euro-atlantik, do të jetë çmimi që Kosova do ta paguajë për njohejn eventuale të pavarësisë së saj nga Serbia, si dhe asi i Vuçiqit përballë opinionit serb.

Prandaj, edhe synimi i Kadri Veselit për të krijuar unitet politik në Kosovë, është synim për unifikim të përgjegjësisë, si dhe mënyrë për të përmbyllur procesin negociator me Serbinë.