Po dalin në sipërfaqe pazaret për Ushtrinë e Kosovës dhe për Asociacionin

24.05.2018 18:22:58

Nga Rexhep Kastrati

Serbët kanë kërkuar që të ndryshohen ligjet e Kosovës dhe t’i përshtaten Statutit të Asociacionit, duke dëshmuar kështu se ata duan një “Republika Srpska” në Kosovë.

Kjo kërkesë, ndërkaq, është vetëm fillim i shpërfaqjes së pazareve që janë bërë për Ushtrinë e Kosovës dhe për Asociacionin, e për të cilat kam shkruar në vazhdimësi.

Më konkretisht: serbët duan që jo Statuti i Asociacionit të jetë në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, por duan që ligjet e Kosovës t’i përshtaten Statutit të Asociacionit, me çka kanë bërë të qartë se Asociacioni do të ketë një Statut që prek themelet e shtetit të Kosovës, përkatësisht hap rrugën jo vetëm për një pushtet të tretë të butë, por për një entitet thuajse të pavarur brenda Kosovës, ashtu siç është Republika Srpska në Bosnjë.

Ndonëse  publikisht dhe zyrtarisht ka një qëndrim se Statuti i Asociacionit duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, megjithatë, serbët që hartojnë Projektstatutin e Asociacionit, por edhe Serbia do të përpiqen që këtë çështja ta ndërlidhin me transformimin e FSK-së në FA.

Ashtu siç kam thënë edhe më parë, serbët do të kushtëzojnë votën e tyre për transfomimin e FSK-së në FA me ndryshime kushtetuese dhe ligjore që do të mundësonin një enitet thuajse të pavarur brenda Kosovës, në kuadër të të cilës do të ishte edhe një strukurë ushtarake.

Në një rast të tillë, do të dilnin në sipërfaqe edhe pazaret që mund të jenë bërë ndërmjet Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit më 2013, dhe me Aleksandër Vuçiqin gjatë vitit 2016-2018, e që tashmë janë të njohura si bashkërendim i nismës ligjore për transfomimin e FSK-së në FA me Aleksandër Vuçiqin, por jo me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Në këtë mënyrë, do të dalë në dritë edhe e vërteta për të ashtuquajturën plaformë pesëpikëshe të Kadri Veselit, me të cilën futen në një pako Asociacioni, Ushtria, Integrimi evropian, zgjedhjet në Kosovë etj., si dhe kombëngulja që negociatat t’i udhëheqë Hashim Thaçi.

Prandaj, është e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet Ministrisë së Pushtetit Lokal të kërkojë informacione shtesë për punën që po bëhet në drejtim të hartimit të Statutit të Asociacionit, por edhe shoqëria në përgjithësi të ketë në vëmendje këtë çështje dhe në përgjithësi pazaret që mund të jenë bërë dhe që do të bëhen dhe që pritet të dalin në sipërfaqe gjithnjë e më shumë gjatë ditëve, javëve e muajve në vazhdim.

Të kujtojmë se Brukseli ka vënë në afat katërmujor për hartimin e Statutit të Asociacionit dhe ka shumë mundësi që të ndëridhë liberalizimin e vizave me këtë çështje.