Po Mitrovicën kush e ndau, Kadri?

23.09.2017 17:05:40

Nga Rexhep Kastrati

Kadri Veseli “Luli”, kur është ndarë Mitrovica ka qenë shef i SHIK-ut, pra i atij që do të duhej të zbulonte synimet serbe për ndarjen e saj dhe të veriut në tërësi. Si shef SHIK-u e kishte emëruar Hashim Thaçi, i cili e quante veten kryeministër, dhe kur Rexhep Selimi e quante veten minstër të Rendit!

Më 1999, Hashim Thaçi kishte në dorë SHP të UÇK-së, pra edhe Zonën Operative të Shalës, dhe ka mundur që të urdhëronte që të mbrohej integriteti territorial i vendit, por nuk e ka bërë! Një video që qarkullon ende në internet e paraqet Hashim Thaçin në mesin e punonjësve shëndetësorë të spitalit në veri të Mitrovicës dhe të qytetarëve, të cilëve u kërkon që të mos shkonin për ku ishin nisur.

Një ushtarak francez ka pranuar se ka kontribuar në ndarjen e veriut, kurse një punonjës së DGSE-së franceze ka pohuar se Hashim Thaçi është rekrutuar nga ai pikërisht në kohën kur u bë ndarja e veriut të Mitrovicës, përkatësisht vetëm pak muaj më parë.

Si ish-drejtues i SHIK-ut dhe si kryetar i PDK-së, pra si pasues i Hashim Thaçit në krye të PDK-së, Kadri Veseli do të duhej t’u thoshte të vërtetën për ndarjen e veriut, për bandat kriminale që lidhen me Veselinoviqin, me Shariqin dhe me të tjerë, dhe për të tjerë që bëjnë ligjin andej.

Kadri Veseli do të duhej t’u sqaronte lidhjet e tij me Nexhmedin Zekën “Lulin, Ismet Osmanin “Currin” dhe me të tjerë si këta.

Kanë kaluar 18 vjet nga ndarja e Mitrovicës dhe e veriut në tërësi, dhe në ndërkohë janë shfaqur edhe opcione për ndarjen e Kosovës, apo edhe shkëmbimin e territoreve, dhe kjo rikthen në vëmendje pikërisht vitin 1999 kur edhe është ndarë veriu, me çka krijohet një qark i mbyllur 1999 – 2017.