Po të mos ishte urtia e presidentit Rugova, Kosova do të ishte një vend më tragjik se Alepo

14.12.2016 17:39:00

Nga Rexhep Kastrati

Kadri Veseli është deklaruar lidhur me tragjedinë e Alepos që vërtet është sfida më e rëndë e shekullit XXI për ndërgjegjen dhe humanizmin njerëzor. Mirëpo, Alepo është një nga shembujt tipik që dëshmon se çka mund t’i ndodhë një populli kur përfshihet në konflikte të brendshme, në luftë civile të yshtur edhe nga agjentura dhe interesa hegjemoniste të Rusisë dhe nga grupe të ndryshme terroriste. Në Siri, këmba e rusëve, apo synimi për ta mbajtur me çdo kusht Asadin në pushtet, e së këndejmi për të mbajtur nën kotroll këtë shtet për kontekste gjeopolitike e gjeostrategjike, ka bërë që Alepo dhe jo vetëm, të shndërrohen në vende me një tragjedi të paparë ndonjë herë. Në këtë mënyrë, u dëshmua se ku shkel këmba e rusëve, aty vetëm tragjedi ka. Dhe parathënia e kësaj ishte në Bosnjë, ku lufta ndrëmjet grupeve etnike solli një tragjedi të rëndë. Edhe këtu ishte këmba serbo-ruse që kishte bërë gjithë ato krime.

Dhe po të mos ishte urtia dhe vizionariteti unik i presidentit Rugova, Kosova do të bënte të harrohej Bosnja, apo edhe të mos ishte gjë Alepo. Për më pak se 8 muaj, në Kosovë u vranë dhe u masakruan më shumë se 13 mijë qytetarë të Kosovës, kurse për më pak se 3 muaj, u dëbuan rreth një milionë shqiptarë nga Kosova, u dogjën qindramijëra shtëpi dhe objekte të tjera. Dhe kjo në kushtet kur barbaria serbo-ruse dhe përgjithësisht sllavo-ortodokse ishte komprometuar keqas në Bosnjë. Po sikur Kosova të mos kishte pasur një udhëheqës si presidenti Rugova, dhe të kishin filluar luftimet në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, ashtu siç donin kroatët dhe serbët, tragjedia do të ishte shumëfish më e madhe, dhe vërtet do të ishte asgjë Alepoja përballë asaj që do të ndodhte me shqiptarët e Kosovës. Mirëpo, falë udhëheqjes së urtë dhe të përgjegjshme të presidentit Rugova, shqiptarët shmangën një tragjedi të përmasave të paimagjinueshme.

Dhe nuk është vetëm periudha e fillimviteve ’90 të shekullit të kaluar ajo që do ta shndërronte Kosovën në një vend me një tragjedi të paparë: edhe gjatë luftës në Kosovë, linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokoministe bënë gjithçka që të nxisnin një luftë vëllavrasëse, në mënyrë që tragjedia e shqiptarëve të jetë shumë e rëndë. Lufta speciale ushtarake dhe propagandistike e bërë kundër presidentit Rugova dhe institucioneve të Kosovës ishte aq e rëndë, sa që po të mos ishte presidenti Rugova dhe urtia e tij, shqiptarët do të kishin përfunduar duke vrarë njëri-tjetrin dhe kështu do të krijoheshin lumenj gjaku nga kjo luftë. Edhe pse linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste bënë gjithçka për të nxitur urrrejtje brendashqiptare dhe luftë ndërmjet tyre, edhe duke vrarë personalitete të rëndësishme politike dhe ushtarake, megjithatë nuk ndodhi ajo që do të bënte që Alepoja të mos ishte gjë. Dhe përpjekjet e tilla vazhduan edhe pas luftës kur politikanë dhe ushtarakë, por edhe gazetarë vriteshin dhe digjeshin në mënyrën më barbare. Por, përsëri ishte presidenti Rugova që me dhimbje në shpirt vorroste bashkëpunëtorët dhe përsëri do t’i duhej të ruante qetësinë dhe të shmangte një tragjedi brendashqiptare.

Dy vitet e fundit, ndërkaq, kanë dëshmuar se qëllimi për të nxitur urrejtje brendashqiptare nuk është eliminuar: në mënyrën më barbare u goditën institucionet e shtetit, kurse popullit iu bë thirrje për luftë vëllavrasëse. Pra, tashmë kur presidenti Rugova nuk është më, po synohet përsëri që Kosova të bëhet një vend që do të të bënte të mos ishte gjë Alepoja. Këtë Serbia e tha vitin e kaluar nëpërmjet Aeksandër Vulinit, i cili Kosovën e krahasoi me Sirinë. Edhe pse populli nuk e ka harruar urtinë dhe vizionin e presidentit Rugova, gjë që ka ndikuar të dështojnë përpjekjet për të filluar një luftë brendashqiptare, megjithatë këto angazhime nuk kanë marrë fund: linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste nuk po i prajnë provokimet dhe nxitjet për destabilizimin e vendit, e që do të çonte në luftë brendashqiptare. Dhe në këto angazhime përsëri janë bashkë. Mirëpo, tashmë ka shpresë se ky popull nuk do të bjerë në kurthe të tilla që në emër të pseudopatriotizmave dhe retorikave populiste, të rrëshqasë drejt një tragjedie të rëndë, sepse ky popull tashmë i ka të qarta të gjitha dhe do t’i ketë edhe më të qarta gjatë ditëve, javëve dhe muajve në vijim.