Poemë e zezë për plangprishësit e lirisë

05.03.2020 17:24:14

Dije LOHAJ

Unë vdekjen nuk e njoh, tha heroi
Se mijëvjeçarëve u mblodha flakët e marseve
E sythat e lirisë nëntorëve
I mblodha një nga një
Dhe i këndova këngët e tua
Me pushkë e lahutë,
Dheu im i përflakur!

Stinëve që zgjuam qenien tonë,
Udhëtonim bashkë me vdekjen dhe lirinë,
Mes përmes hingëllimave të trokut të Mojsive.

Dëshmorët kanë emrin atdhe,
Tek nata e kallur në Tempull
Po pikon gjakun e tyre,
Tek po digjen flakadanët,
Bashkë me borën e sivjetme,
Tek fjalime politikanësh u sillën vërdallë,
Si korba të zinj,
Po sillen e po çukitin
Mbi kurorën e betejave,
E kurorë e Ademit lëngon.

E trishtë ishte Nata e Zjarreve këtë vit, burra!
Më e trishtë se e Motit të Madh të flijimit,
Kuku nëna ime, ulërijnë dhe varret!

Pa shihni se si po e shpërbeni mitin tonë,
Ju plëngprishës,
Mitin tonë të flakadanëve,
Ku rri varur mbikoha ime,
Mbikoha e heronjve tanë,
E mbikohët po bubullojnë nën krrokamat tuaja,

Kur nishanin e dëshmorëve për armikun,
Ua keni kthyer atyre.
E dêshmorët klithin:
Ç’na duhen memorialët tuaja,
Ku po lidhni nyjë
Amanetet tona dhe kohën e lirisë.

Bac, nuk u kry!