Poemë për vdekjen e një Nositi tjetër / Vargje nga Dije Lohaj

04.04.2021 15:58:10
Poemë për vdekjen e një Nositi tjetër
S`dua të më zverdhen vargjet,
As metaforat e stinëve
Në këtë zjarrmi!
Dua të derdh lotin nëpër degë,
Me flladin e mëngjesit,
Me pikat e shiut të zi!
Ndërkohë që zogu im
Sapo kishte dhënë shpirt,
E poetët u këndonin
Zogjve të gjetheve,
Me vapë të pranverës,
Me etjen e shuar burimeve.
E zogu im i vdekur,
Me atë flatrën e shkruar,
Që ajri i mëngjesit pranveror
Ia lëvizte poshtë lart,
Më thoshte:
– Shko ti,
Unë po pushoj pak.
E cicërimat e vargjeve
Prisnin në rend për ngushëllime,
Të ledhatojnë këtë plagë,
Të thith nektarin e blerimit,
Për të mos zverdhet fluturimi.
Ja!
U bëra një zog tjetër përrallor,
Një Nosit me krahë dheu,
E nga gjoksi im
Nxora jetën time,
Që të shëroj vdekjen,
Vdekjen e zogut tim.
Dhe prapë
Ajri i mëngjesit pranveror
Lëviz poshtë e lart,
Flatrën e shkruar,
Që prapë më thotë:
Shko ti!
Unë po pushoj pak.