Poeti sirian: Po studioja…kur plumbi përshkoi trupin

24.12.2016 00:10:10

Poeteka Albania përshpirtje për tragjedinë në Aleppo; rasti i reagimit të Czeslaw Milosz mbi luftërat dhe diktaturat u shndërrua mbrëmë në mjediset e “Heminguej” për të reflektuar në një bashkëbisedim shkrimtarësh, studiuesish e përkthyesish, me moderimin e Arian Lekës. Të pranishëm Dom Gjergj Meta, Edmond Tupja, Agim Baçi, Mira Meksi, Sokol Çunga etj., duke zbuluar dhe disa poezi nga Jevtushenko për Shqipërinë

Nuk mund të rrimë pa reaguar për atë që po ndodh – thotë shkrimtari Arjan Leka – nuk ka pasur dhe nuk do të ketë krishtlindje më të përgjakura sa këto – nga një anë presim krishtin-fëmijë të lindë (Perëndimi i krishterë), nga ana tjetër varrosim fëmijë (bota myslimane).

Me këtë reflektim mbrëmë u mbajt një përshpirtje për tragjedinë e ndodhur në Aleppo. Në mjediset e bar “Heminguej”, shndërruar në një qoshk modest për kulturën, një grup shkrimtarësh, kritikë e përkthyes për një orë sollën poetin sirian Ghayath Almadhoun dhe si një kujtesë mbi luftërat dhe diktaturën Leka i referohet shkrimtarit Czeslaw Milosz, i cili ishte ndër të parët që vuri re se në pjesën më të madhe të asaj që shkruhej, publikohej, lexohej, përkthehej dhe promovohej, nuk përshtatej fare me jetën dhe me botën, në kohën mes luftërave dhe diktaturave.

 

“Këtë e kuptoi kur një plumb i kaloi para fytyrës dhe copëtoi gurët e kalldrëmit të tij. Rasti Czeslaw Milosz takon pas thuajse gjysmë shekulli poetin Ghayath Almadhoun…”, ndërhyn në tekstin e tij Leka, që ka moderuar mbrëmjen.

“Po studioja ndryshimin mes revolucionit dhe luftës, kur një plumb përshkoi trupin tim” – ka shkruar Gajat Almadun (Ghayath Almadhoun, poet palestinez, lindur në Damask, Siri në vitin 1979). Fjalia ishte për Aleppon.

Në këtë ndërthurje bisedash dhe  Leka thotë se zgjodhën titullin “Këtu flasim për poetikë”, pasi gjithë vitin është lexuar “Këtu nuk flasim për politikë”.

“Po ne e dimë se fjalërrënja e politikës është polisi – ‘qytet’, ‘komunitet’, e prej kësaj edhe ‘qytetar’. A ka më ndonjë lidhje mes asaj që jetojmë dhe asaj që shkruhet?”.

Në këtë rast, për simbolikën e Poetekës, poezia shihet si çdo gjë tjetër si një moment për t’u vënë në provë.

A është e gjallë? A ndjen njëlloj? A janë të tillë, të gjallë dhe të ndjeshëm poetët, krijuesit e saj? Në të kundërt, përse lipset stilistika, metaforat, botimet me qepje (si plagët), edicionet e rralla të botimeve me këmishë (si politikanët) dhe me kopertina më të forta se kokat që e mbajnë luftën në këmbë? Përse u dashkan konkurset dhe çmimet letrare, përse lipsen përkthimet, kur poezia nuk përshtatet me jetën dhe me botën?

Për shkrimtarin sot artistët janë zënë robër ose janë bërë shërbëtorë të sistemeve destruktive politike.

“Neoliberalizmi prodhoi inteligjencien, artistët të cilët janë bërë rob ose shërbëtorë të sistemeve destruktive politike. Prodhoi edhe intelektualët, pakicën e revoltuar e cila nuk dorëzohet. Këta të fundit janë edhe sot një lloj postdadaistësh – vetmitarë plot dinjitet, rebelë, por të refuzuar, apostuj të njollosur nga të tjerët, që kanë filluar ta humbasin besimin. Ata këlthasin: nuk shërbejmë, por pakkush i dëgjon. Zhurma e globalizmit e mbyt fjalimin e tyre, ua copëton dorëshkrimin. Më lejoni ta pranoj: Unë jam një ndër këta të margjinalizuar. Zotërinj, ky civilizim na i mbyti disa nga veçoritë më të mira njerëzore: na vodhën intimitetin, intuitën, improvizimin, parandjenjën, entuziazmin dhe ëndrrën. Kapitali i palodhur prodhon edhe administratorin e mendimeve tona”, ka thënë në fjalën e tij Leka.

Ndërsa në numrin 42 të Poetekës u botua ky tekst: “Sot kemi parti të panumërta. Dhe shih për çudi – të gjitha këto parti demokratike. Ato prej një çerek shekulli nuk bëjnë asgjë përveç se shesin dhe ende nuk ia arritën të shesin të gjitha ato që partia totalitare krijoi. Unë e di se është e trishtueshme dhe nën dinjitetin njerëzor që çerek shekulli pasi importuam rregulla demokratike, të vazhdojmë të thërrasim parulla dhe fraza demokratike; të përsërisim se, demokracia dhe neoliberalizmi nuk është i përkryer, por është rregullimi më i mirë që njohim. Ja, mu kështu kemi thënë edhe për socializmin që e përmbysëm!”.

Janë mendime që shkojnë te të gjithë, por ky shkrim vjen nga shqiptari i Malit të Zi, shkrimtari Jovan Nikolaidis. Ndërsa citon këtë tekst, Leka thotë se mbizotëron heshtja, ajo që vret; dhe dhimbjen e shprehim të ndarë: veçmas kur terrorizmi godet qytetet e krishtera; veçmas kur terrori godet qytetet dhe fëmijët e botës myslimane, të cilët besuan te pranvera arabe, lulja e vetme e së cilës ishte terrorizmi, siç shprehet Nikolaidis!