Poezi/ Nekrolog në pllakë zemre

10.10.2019 01:09:10

Nga Dije Lohaj

Ka qenë e çuditshme
Dashuria ime për atdheun,
Ka lindur para atdheut,
Para qenieve të gjalla të tij.

Aty u linda,
Aty gjeta të gjitha anët e tij,
Aty zemra më pikonte helm
Ku lashë gjurmët e mia të para,
Atdheu, këngëtari im!
Një mal,
Një lis i tharë
Nga zinxhirët e tradhtisë.

Një gjeth i thurur kurorë,
Rrotull lisit kërkon rrënjët,
Po ashtu rrotull,
Qajnë shpendët për foletë e dheut.

Lotët ujitin barin mbi varre,
Dallëndyshet nuk shtegtojmë më,
Me zë kukuvajkash qajnë dashurinë,
Thonë dheu i spërkat me rikthim,
Thonë qielli i ka zili,
Thonë foleja që loton,
Thur vargje e histori.

Atdhe,
Sa ka qenë e çuditshme
Dashuria ime për ty,
Me tërë mikrothesarin kolosal,
Që kishe e ke.

Atdhe!
Pashë kokën tënde, atdhe!
Më mbulo rëndë
Sa me ujë,
Sa me dhe!