Poezi nga Avdush Canaj

10.03.2020 11:24:25

Nëna ime s`kishte shkollë
asnjë ditë,
ishte kohë e robërisë,
kur bënte oja me mëçik
këndonte vargje
nga “Lahuta e Malcis”!

Kishte zë ylberor nënëmira ime,
bilbileshë në maj!
Pëllumbat i zbrisnin në sup,
dëgjonin me mua këngën e saj.

Lulet kudo çelnin , hapnin petalet!
Kënga merrte krahë,
këndonte kopshti,
fushat,
malet…

E pyeta një ditë në përqafim:
– Ku e ke mësuar këtë këngë të bukur
kur s`di shkrim-lexim?!

I qeshën sytë e kaltër si dy kroje:
Nga babai im.Babai im.

-Ti më ke thënë çiltërisht,
ai firmoste me gisht.
– Me gisht ,po diellin e shihte larg,
i pari,
lahutën e mësoi nga gjyshi i vet,
lahutari.

Kaherë nëna ka shkuar tek yjet,
atje kujdeset për lulet,
i përkdhelë me dorë!
Kur malli krahët shtrinë ,
më vjen si pulëbardhë
me atë zë të ëmbël, hyjnor!

E shtunë, 22 shkurt 2020

Lapsi i zemrës

lapsi i zemrës sime
ka ngjyrë të luleve

vjershat i shkruan
të ylberta

fluturat
i dinë edhe në gjumë

s`mund ta fal këtë laps
të shpirtit e kam

po deshe
merre pak muzikë vargu

të bën zog
në dritare të mollës