Poezi nga Behar Gjoka

12.03.2019 13:15:34

TIRANA

Me tela me gjemba
me protesta për votën
e lirë, të vjedhun
me pemët që ngulen
e kullat që mbillen…

Me zhurmë e krisma
me gazlotëhehedhës
me pikla helmi
me zogj që marrin arratinë
me njerëz që kërkojnë
shpëtimin nga qielli…

Tirana e mijëvjeçarit të tretë
e shekullit te ri,
ku andrra dhe shpresa
merr frymë
në zgrip…

ASGJA

Nuk ngjet asgja
me mua, me ty
me tokën dhe
qiellën…

Asgja,
nuk dua më
nga kjo botë
mizore dhe
e pështirë…

Asgja,
nuk pres ma
nga atdheu
që ma morën
peng horrat
e politikës…

Në këtë
ferr, në kët
skëterrë,
ma mirë
të mos
keshë
lerë…

asgja,
nuk pres,
asgja nuk
dua…