Poezi nga Blerina Pëllumbi

19.04.2019 12:37:37

Lotet e një gruaje

Ma trembe shpirtin
zemra ime..

Ma trembe shpirtin zemra ime
Pranverën e çele si ujvarë zjarri
Ma dogje zemrën ma përvëlove
E s’dija I vdekur isha, apo I gjallë

Ma trembe shpirtin zemra ime
E mblodhe yje e mblodhe hënë
E grise diellin me trëndafilin
Ma mbushe shpirtin me një botë të tërë

Ma trembe shpirtin, zemra ime
Me brishtësinë, lëngun mbi buzë
Si llavë më shkrive ç’më trete fare
Mbi damarë gjaku ,rridhte veç ujë

Ma trembe shpirtin zemra ime
Me pafajësinë që dridhej në erë
E erë me mbushe ,erë pranverë
Aromë gushe mbushur me verë

Ma trembe shpirtin zemra ime
Me dehe me fjalën mjaltë, mbi mjaltë
Këndoje me shpirtin e birbilit
E zemra çeli agim të artë

Ma trembe shpirtin zemra ime
E më rrëmbeve sytë dhe buzën
Një jetë e tërë ,Jo s’do mjaftojë
Te jem pranë teje,ti je një muzë…

D 06.04.2019