Poezi nga Dije Lohaj

20.02.2020 12:46:45

KJO TYMNAJË HIRI

Shpresë e bukur!
Udhëtarja ime me hapa ëndrre!
A po të kujtohet sa shumë kemi ecur
Dhe askund nuk kemi arritur,
As nga nata në natë,
As sa çon thnegla me krah,
Nuk peshojmë as unë, as ti.

Asnjëra nuk shohim njëra-tjetrën
Nga hijet tona të bardha,
Në këtë tymnajë hiri,
Buzë një muzgu të zi,
Ti më ngjan mua,
Unë të ngjaj ty,
Ti më more shpresën mua,
Unë të mora gjakun ty.
Vetëm ëndrrat
Nuk ia plaçkitëm njëra-tjetrës,
Si kusarët anijet në det.

E pamundur!
Unë vala jote,
Ti shtrati im,
Sa ma thellon detin mua,
Unë lubia ngritëm dhe përpij oqeanin,
I dal bajlozit të zi përpara,
Në botën e shteruar,
Ku njerëzit pinë djersën e tyre,
A po të kujtohet tani?
Udhëtarja ime!
Shpresa ime,
Që po ma ha shpresën time!