Poezi nga Dije LOHAJ

29.05.2019 10:24:58

GJURMË NËPËR PLASA TË SHPIRTIT

Le të jenë të fundit këto vargje,
Me trupin tënd derdhur,
Nëpër memecërinë e zanoreve,
Që dënesin si sogjetare melankolie
Qelizat e emrit tënd,
Me mishin tim të trishtuar,
Drita më ngjan me vdekjen,
E dënesin vargjet dhe zemra
E nuk e di, a i dua më kështu të çoroditura,
Apo janë dehur në kopshtin e botës?!
Ku e sotmja m’i kthen,
Në guacën blu, prej aty ku i nisëm.

Ah, ç’gjuhë e çuditshme
Po shpërthen nga mermeri im!
S’ka gjë le të jenë të fundit,
Se edhe të fundit qofshin,
Dua të jenë për ty dhe mua,
Se zjarreve kemi shteruar lotët
E mbjellur buzvajeve natës,
Tek boronte qiellit tonë heshtja e fjalës.

Medet, e si të jenë të fundit, këto,
Frymëzime të fuqishme e fine!
Që na i kthejnë qetësinë zemrave,
Zemrave të gjora
Që mos të na mbjellen luletrishtat,
Nëpër ëndrra jetëdhënëse,
Që s’janë as të miat, as të tuat,
Për atdheun jetë,
Për dashurinë,
Parajsën time,
Tek liria mbëltohej me gjakun e bimëve të mia.

Të gjithë po gumëzhijnë nëpër dhimbjet e fundit,
Se, sonte zemra,
Le të plasë
Me këto vargje të fundit për ty,
Nëpër plasat e shpirtit,
Me gjethishte blu penelit qiellor,
Aq sa të rrinë petalet në gjumë të pranverës…!