Poezi nga Fatmira Duraku/ Krijimi për ty

28.03.2019 13:33:13

 Trioleta

E ujis lulen, më pas e hapi dritaren

Ç` simbole ç` metafora të krijoj për ty

Ti kthen shpinën ik me një manaren

E ujis lulen, më pas e hapi dritaren

Ndjek melodinë që lozje me kitarën

E qielli i kaltër ende të derdhet në sy

E ujis lulen, më pas e hapi dritaren

Ç`simbole ç`metafora të krijoj për ty

Si ta kujtoj këtë natë vjeshte me shi

Zërin tënd ta përjetoj kaq me jehonë

E përmbi dollap ende kotet zogu i zi

Si ta kujtoj këtë natë vjeshte me shi

Kitara me tela të argjendtë në vetmi

Hija jote i afrohet e gjallë deri vonë

Si ta kujtoj këtë natë vjeshte me shi

Zërin tënd ta përjetoj kaq me jehonë

I mbyll sytë e trishtuar ik nga vetmia

Ja unë e vogël nga luaja me katër gur

Nën hijen e blirit të thyer nga stuhia

I mbyll sytë e trishtuar ik nga vetmia

Te pusi hija ime e mbuluar nga agmia

E kotë është s`mund të kaloj këtë urë

I mbyll sytë e trishtuar ik nga vetmia

Ja unë e vogël nga luaja me katër gur