Poezi nga Isak Gashi: SHPIRTI IM, SHQIPONJA IME

29.03.2019 12:09:38

Ti nuk je ëndrra që shihet përditë
as zhgjëndrra që u takon të gjithëve
nuk je….

Ti je shqiponjë
mbretëreshë e qiellit je….

Vetëm një herë kush i ka prekur
brigjet e blerta të zemrës sate
yll i është bërë qiellit të lumturisë
dhe sy dashurisë që merr dritë nga dashuria….

Ti nuk je lumi që shteret nga vapa
po as shkretëtira që mund ta blerojë secili shi
nuk je….

Ti je shqiponjë
mbretëreshë e qiellit je….

Vetëm një herë kush i ka shijuar
mjaltin dhe zjarrin e shpirtit tënd
qiell e horizont i është bërë fluturimit
që e sjell gjithmonë pranë teje…
edhe kur bënë mot me stuhi
dhe rrufetë e qëllojnë…

Edhe kur bënë mot si në pranverë
e shiu i dashurisë e lag…
gjithmonë të ndjen e të do si shqiponjë
i gatshëm të të shoqërojë lartësive….