Poezi nga Mimoza Çobo

28.09.2018 12:45:38
DËGJOJE KLITHMËN TIME…

(Për gratë,viktima të dhunës në familje)

Dikur, për mua grise qiellin me dorë,
zhubrose retë,por më gjete në tokë, 
sapo kisha çelur mbi kristalet e bardha,
nuk prita si shoqet kur t’më vinte radha.

Por,mua virgjëreshën më shtype në terr,
s’e mendoja,se me ty jeta do ishte ferr.
s’e dija,se në shpirt kishe një hoje me vrer.
Jo,ti s’ke ndjenja,je akull dimër e verë!

Si egërsira që shqyen prenë me rrëmbim,
bukuritë femërore i këpute me tërbim,
gdhihesh re e zezë,ngrysesh natë e nxirë,
drejt vuajtjes më shtyn,mua gruan e mirë.

Sa t’u luta,mos luaj me zjarrin që djeg,
mos shqyej fletët e gjirit,si të jenë degë!
Jam gruaja që ngjize fëmijë,sa deshe vet,
dëgjoje klithmën time,që copëton rrufetë!

©copyright reserved Mimoza Çobo

Fotografia e Mimoza Çobo