Poezi nga Mimoza Çobo

07.09.2018 23:31:02
  1. KUR GRUAJA TË DO ME SHPIRT

Një grua e ndien aromën e burrit që do,
edhe kur vesëholla gjurmët ia ka fshirë,
kur karajfili stinëve kundërmon ngado
dhe kur dorëzonja deh ditët,me të mirë.

Një grua sheh syrin e burrit që dashuron,
mes muzgut kuqalosh që mbledh bukuritë,
nën velin e agimit, kur nata lodhur shkon
dhe trëndafilja ditë shtron gjithë mirësitë.

Një grua njeh zërin e burrit që dashuron,
mes këngës së valës,që ligjëron në breg,
mes korit të zogjve në shtegtimin e vonë,
kur vjeshta zverdhon gjethet nëpër degë.

Një grua e ndjen pranë burrin që dashuron,
kur ai folenë ngre brenda zemrës së saj,
kur diellin e dashurisë,pa kusht ia dhuron
dhe frymën e shpirtit gjer në vdekje ia fal.

2.ZJARRI FEMËROR ‘’DJEG’’ UNIVERSIN, E JO MË NJË BURRË…

A ka zjarr femëror, që nuk djeg asnjë burrë,
kur nëpër flakë digjet gjer në rrënjë xhani,
a ka zjarr femëror,që burri s’e shuan dot kurrë
dhe kur nuk rrjedh, si llavë e një vullkani?

A mund të ecë një burrë, mbi zjarrin e një gruaje,
pa u djegur e përcëlluar, qoftë edhe një grimë,
a mund të durojë ëmbëlsinë e zjarrit, gjer në vuajtje,
e të mos nxjerrë ekstazave asnjë psherëtimë?

A mund të flejë një burrë, kur zjarri femëror digjet,
si flaka olimpike përzhelit edhe cipën e qiellit,
kur perëndeshë e bukurisë ,mes flakëve përgjigjet,
me rrezatim magjik, që mposht rrezen e diellit?

Si mund ta shpërfill zjarrin femëror, një burrë,
kur flaka e saj bredh, si gjarpër nëpër trup,
si mund të ketë në vend të zemrës,një copë gur,
kur zjarri femëror djeg e përvëlon aq shumë!

Kur zjarri gruas ndizet dhe fiket netëve tërbuar,
ka pranë një burrë mostër ,me shpirt të verbuar.
Kush ‘’s’digjet’’ në zjarrin e saj ,s’burrërohet kurrë,
se zjarri saj ‘’djeg’’ universin e jo më një burrë.