Poezi nga Naxhije Doçi

04.08.2018 03:02:44

ABC-JA SUBLIME SHQIPE

Sërish të vizitova në stinë flakërimi
të preka me duart e mia të përmalluara
ABC-ja shqipe e shenjtëruar
skalitur në bronzë si dëshmi përjetësie,
në Korçën e dashurisë së paskaj
me serenada komponimi në përqafim të agut.

Poetikë e dehur nëpër dallgëzime motesh
ti ABC-ja e yllëzuar shqipe
që peshën e krenarisë sime purpur
ma bën bjeshkë në puthitje të qiellit.
Nga harta e shkafnjyer e atdheut
me procedura pakuptimësie mëzi dëpërtova
të të vizitoja në hapësirën e bekuar,
të ledhatova si lulen e shpërthyer të prillit.

ABC-ja e ligjërimit të dëlirë shqip
je melodi e papërsëritshme orfeike
me jehun kumbues epokave
formulë pagëzimi me frymim thellësie
që në palëzimet e hershme të frymimit njerëzor,
hartave krahështrirë të rruzullit.

Ujëvarë mrekullie në gurgullimë shtigjesh
ti ABC-ja e parë shqipe,
lukunitë e smirëzisë së trishtë
së tepërmi të ndëshkuan nëpër mote
se ishe shëmbëllim mirësie,
kulturë veçantie.
Nga frika prej hijes së vet të ndëshkuan
lakun në qafë përherë ta vunë
në tentim shprishjeje?!

ABC-ja e krenarisë sime purpur
metamorfoza në haperim të stisur,
egërsitë e misionit fantomë
vafshin në theqafje të merituar
THOTI sërish do të ligjërojë vetëm shqip
në bashkimin e merituar.

– Prishtinë – 01. 08. 2018