Poezi nga Reshida Coba

05.08.2020 15:16:49
Luksi me Arrixhinj
Nuk isha më shumë se 15 vjec
Diskove nuk shkoja me shoqet rrija rrallë
Kalldrëmeve të Korçës po lija pas vajzën e vogël
Perëndimet, serenatat
Ahengun e arixhinjve në mëhallë
Filloi arixhiu Ramadan t’i shtonte darkat e sazet
Një herë për vete…për motrën, vëllanë
Darkën tjetër e bëj për babanë
Po çmendej Ramadani me veten
Flokët gjithë brilantinë mustaqet i ndërroi
Shtoi një tjetër dhemb floriri në gojë
Por zëri po i mekej…sa herë që këndonte
Do vijë prapë në aheng leshverdha !
Leshverdha e bukur prej soji
Me dantella si kurbatkat
Më qepi mamaja një fustan
Bleva ton fytyre me ngjyrë fare të errët
Nuk e ndryshova dot lëkurën aq të bardhë
Por shpirtin… e qepa njëlloj si ezmerët
Gëzoheshin arixhinjtë,rrugët plot naze të Korçës
Unë vetëm përcillja, gëzimet e tyre,kurreshtjen
Përcillja habitë,pyetjet e moshës
Qysh atëhere mbaj mend
Dëshirën për ti mësuar vetes
Cdo gjë të re me të kundërtën e shoqeve
Të kundërtën e së zakonshmes
U rritën pazaret e bastet
Në lojën e xhambazëve, njëlloj si për gomerët
Sa herë që ziheshin për mua
Kush do ulej pranë,kush do çikte ashtu si pa dashur
Gjoksin e madh të leshverdhës
Dhe xhelozia midis tyre u rrit
Por më shumë ajo e grave
Une besoja në mospërzjerjen e ngjyrave
Rrëshqitjen e lehtë si në format konkave
Pastaj unë ika
Me vete morra Moravën,erën e mollëve të Korçës
Por kënga për leshverdhën mbeti histori…këndohet dhe sot
Nëpër oborre me klarineta, arixhinj
Jetova si grua e bukur
Me nazet e lëkurës së bardhë
Por ëndërr si ajo me arrixhinj
Akoma nuk kam pare
As në dhoma me shumë muzikë
Me shumë luks…me shumë dëfrim
Ende nuk e kam gjetur luksin e mendjes
Si në dhomat pamure me arixhinj !