Poezi nga Shukrije Gashi

24.04.2019 21:14:52

PËR NJË KACIDHE PUSHTET

Damarëve të trupit tim Mëmëdhe
çdo ditë si një ushujzë
qetë -qetë thithë gjakun e mirë
helmuar me limfën e prishur
të Pllumbit të Paqes krahthyer
vrarë me karrem
e në lëkurën tënde të regjur
me mamuza kohe
Tregëtarë Flamujsh
prostituojnë trupin tënd
me vrraga plagësh 2000 vjet
përgjatë kufijëve endet mordja
një kacidhe pushtet
i ha marazi burrat fort
në heshtje mondane “tymosin
gratis” pak ilaq harrimi
për t’ia ndier shijen Evropës
me gallatë hire jetëshkurtëra
as nesër kujtohen këta trima
kush është Mëmëdheu
dhimba tashmë e braktisur
në paketa standardesh medet
Ah Shqipëria ka zënë ç’moti
lëngatën e lakmisë e burrni hiq
zezonën e ndasisë bajraktare
e ka vesh tash sa vjet smira
veç gratë dinë t’i vrasin
pa ju bërë syri tërr..

(03.04.2014)