Poezi nga Vllasova Musta

15.03.2019 02:53:31
PËRBALLË NJË GRUAJE

Njoha një grua,
Që dhimbje pikonte
Në sy, në trup e në hap
U ngrita nga vendi,
Pranë i shkova
Veç dorën desha t´i jap.

Më pa e habitur,
Si ketër i trembur,
Si degë e prerë u lëkund,
Shkëndija me dritë,
Që mbante në zemër
Qe fikur,
Kish rënë në fund…

Gjithë fjalët më ikën,
Por dorën ia mbaja
Shtrënguar në grushtin tim,
Ajo mërmërinte me sy tjetërkund,
E gjitha pikonte
Trishtim!

Nuk desha ta pyes,
E pse ta lëndoja?!
I ndenja pranë,
Pa fjalë…
Atë e kish vrarë keq një njeri,
Që erdhi si ëngjëll
Dhe iku si djall!