Poezi nga Zymer Mehani

21.05.2019 10:11:56

NJË DITË

Një ditë
I luta valët
I luta zogjtë
Luta dhe shoqe
Luta dhe shokë
Luta durimin
Edhe urtinë
Mërzinë t’ma heqin
Nga shpirti im

Luta pranverën
Malet, kodriçet
E luta erën
Dhe dallëndyshet
Luta ylberin
E qiellit tim
Mërzinë t’ma heqin
Nga shpirti im

I luta lulet
Lugjet
E bregun
I luta rrezet
Përroin
E shtegun
Miqësisht i luta
Të më ngushëllojnë
Mërzinë t’ma heqin
Të ma largojnë

Luta dhe flladin
Puhinë në fusha
Luta ograja
Çuka, gëmusha
Luta dhe valët
Në det t’trazuar
Mërzinë t’ma heqin
Për t’më qetësuar

I luta gonxhet
E trëndafilit
Gurrën
Ujëvarën
Llapin
E Drinin
Ngrohtësisht i luta
Të më ndihmojnë
Mërzinë t’ma heqin
Të ma largojnë

Valët e jetës
Gjithkah më sollën
Gëzim dhe helm
Në shpirt më mbollën

Luta vëllanë
Motrën e luta
Të më qetësojnë
Me fjalë të buta
Jeta ka trazim
-Qëndro shpirti im!