Poezi:VAJ E DITË PËR DRITËN

17.03.2020 21:20:17

Shkroi: Dije LOHAJ

VAJ E DITË PËR DRITËN

Udhëtojmë rrugës së bardhë qumështore,
Por vështrojmë frikshëm
Sfondin e bukur hënor,
E shkujdesshim vibrojmë
Nëpër vrima të zeza hapësinore
Dhe në baticën e hënës së plotë,
Të tkurrur rrimë në lëvozhgën tonë.
Sa shumë shpirti ynë vuan e përballon
Errësirën e kundërt të natyrës sonë!
Të tkurrur e të trembur rënkojmë,

Të mbuluar në guacë,
Të jemi vetvetja nuk guxojmë,
E prapë nuk çlirohemi
Nga këto ndërhyrje negative,
Në simfoni të vallëzojmë,
Me mbarë trupat e gjithësisë,
Në një frekuencë perfekte,
Edhe atëherë kur kuptojmë,
Se diçka na mban të frenuar,
Duke na trembur
Me frikën për jetën,
Për bukën e gojës,
Me frikën e nxehjes globale,
Me frikën e kataklizmës e të vdekjes.

Çfarë të bëjmë?
A të jetojmë kështu,
Apo t’i flakim gjithë këto mashtrime?
A të jemi të lirë në hapësirë,
Apo të bëhemi zhurmues i valëve të jetës?
Shihni!
Koha ka rritur shpejtësinë
Dhe vitet ikin sa çel e mbyll sytë,
Disa thonë: Ajo nuk ekziston!
Të tjerë e ndërtojnë si krijim!

Nën perden e errësirës,
Dhe nga yshtjet djallëzore,
Të frikur rrimë e të mbyllur,
E koha ikën me vrap,
Apo ne e vrasim kot?
A ndoshta na e rrëmbejnë ata,
Që na mashtrojnë e na gënjejnë
Që të mos shkrihemi natyrshëm?
Andaj, eja të tretemi,
Në të pafundmen dritën tonë,
Të lirë në qetësinë hyjnore,
Jetën e shkurtër ta mbulojmë.