Policët dëshmojnë për arrestimin e Granit Elshanit pas vrasjes në diskotekë

21.09.2017 22:54:33

Në gjykimin e Granit Elshanit, i akuzuar për vrasje e tri vrasje në tentativë, kanë dëshmuar dy zyrtarë policorë, Riza Mahaj dhe Shpend Berisha, të cilët e arrestuan të pandehurin natën e 2 dhjetorit 2010, kur u vra Besart Shabi dhe i plagosur mbeti Valdet Kelmendi në diskotekën “City Club”, në Pejë.

Fillimisht, polici Riza Mahaj, tregoi se si erdhi deri te arrestimi i të pandehurit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Andrew Hughes, zyrtari policor tregoi se pasi kishte pranuar telefonatë pas incidentit menjëherë kishte dalë në vendngjarje, kishte formuar ekipin e hetuesisë, i kishin ndarë punët dhe më pas kishin hasur në një dëshmitar, i cili tha se mund të identifikonte kryesit e aktit dhe në bazë të një foto tha se personi ngjason me Shkodran Hysenin.

“Menjëherë ne formuam ekipin dhe shkuam në shtëpinë e Shkodran Hysenit në orën 03:00 të mëngjesit dhe aty doli babai i Shkodranit, Tahiri, i cili na pyeti se çfarë kërkonim dhe u tregua i gatshëm për bashkëpunim “, tregoi zyrtari policor.

Po ashtu, Riza Mahaj trego se Tahiri u kishte thënë se atë natë mysafir e kishin nipin e tyre, Granit Elshanin.

“Tahiri na tha se atë natë mysafir e kishin edhe Granit Elshanin dhe se na tha se mund të futeshim dhe të kontrollonim. Me të hyrë në dhomë pamë Granit Elshanin në njërin prej shtretërve, ai dukej i shqetësuar”, shtoi ai.

Më tej, ai tregoi edhe për momentin kur e gjetën armën në dhomën në të cilën qëndronte Graniti.

“Nuk e di saktësisht në cilin shtrat por në të njëjtën dhomë ku qëndronte Graniti e gjetëm armën të tipit “Six sour“, tha polici Mahaj.

Prokurori Hughs kërkoi nga trupi gjykues që dëshmitarin ta përballë me armën e konfiskuar në mënyre që ta shohë se a është ajo e njëjta armë të cilën e kishte konfiskuar 7 vite me parë.

Me ta parë armën dëshmitari tha se është po ajo arma e cila është konfiskuar me numër të njëjte serik dhe me 10 fishekë secili me numër të njëjtë serik dhe janë po ato të cilat i kemi konfiskuar në mëngjesin e 3 janarit 2010.

Granit Elshani lidhur me armën e cila u prezantua në Gjykatë tha se është hera e parë qe e sheh dhe se kurrë më parë nuk e ka parë atë.

Kundërshtim lidhur me dëshminë e dëshmitarit pati avokati Ndrecë Dodaj, i cili tha se dëshmia e Mahajt dallon shumë nga provat në procedurë të cilat do t’i shfaqë kur të vijë koha.

Prokurori Hughs pyeti për veprimet e mëvonshme dhe se pse erdhi deri tek lirimi i Granit Elshanit atë natë.

“Më pas morëm Granitin dhe vëllain e Shkodran Hysenit me vete në stacionin policor në mënyre që të identifikoheshin nga dëshmitari, ku më pas dëshmitari tha se asnjëri nga ta nuk është personi i cili gjuajti në diskotekë. Më pas për Granit Elshanin është iniciuar tjetër procedurë, ajo e armëmbajtjes pa leje dhe me urdhër të prokurorit i njëjti është lëshuar në procedurë të rregullt” deklaroi Riza Mahaj.

Në të njëjtat pyetje të prokurorit u përgjigj edhe Shpend Berisha.

“Pasi kemi marrë lajmin kemi shkuar në vendngjarje dhe kemi ndarë punët, disa shkuan në polici e disa jashtë diskotekës sepse gjurmë kishte në shumë vende. Pas lajmërimit të një dëshmitari i cili tha se mund ta identifikonte kryesin, dhe i cili tha se ai person ngjason me Shkodran Hysenin, kemi shkuar në Ramun tek shtëpia e Tahir Hysenit për ta marrë Shkodranin në Polici, mirëpo nuk arritëm ta gjenim atë sepse sipas familjareve ai ishte jashtë Kosovës”, tha oficeri i policisë.

“Me të hyre brenda kemi parë Granit Elshanin teksa hynte në një dhomë, kemi hyrë në dhomën ku qëndronte ai dhe në shtratin në të cilin qëndronte i ulur Graniti nën jastëk gjetëm një pistoletë të tipit “Six sour“, tha dëshmitari Shpend Berisha.

Po ashtu, dëshmitari tha se Graniti u kishte thënë se pistoletën e kishte gjetur rrugës për tek daja. “Pasi e gjetëm pistoletën nën jastëk të shtratit ku po qëndronte Graniti, ai na tha se ajo nuk është e tij dhe se duke shkuar rrugës për tek daja i tij i kishte gjetur dy pistoleta”, tha dëshmitari Berisha.

Ai po ashtu tregoi edhe për sjelljet e Granitit atë natë.

“Atë natë Graniti ishte i stresuar dhe i zbehur kishte një shqetësim me të madh se normal”, tha ai.

Sipas aktakuzës ndaj Granit Elshanit, ai shtiu për motive hakmarrjeje ndaj Kelmendit.

23 persona kanë vdekur në konfliktin mes familjeve Elshani e Kelmendi- 10 të familjes Kelmendi, 3 të asaj Elshani dhe 10 persona tjerë.