Policia ‘bën kërdinë’ nëpër Shqipëri, për 90 minuta vendos 1500 gjoba

13.12.2016 15:53:48

Policia e Shtetit ka zhvilluar mesditën e sotme operacionin e koduar “Blici rrugor”, të shtrirë në 12 qarqet e vendit, në akset kryesore dhe zonat urbane. Ky operacion nisi në ora 12:00 dhe zgjati deri në orën 13:30 minuta, ku të përfshirë ishin policia e Qarkullimit Rrugor e mbështetur nga Policia e Rendit, FNSH e Shqiponjat.

Aksioni kishte si synim goditjen e paligjshmërisë, kryesisht atë që lidhet me zbatimin e nenit 170 të Kodit Rrugor, për mos vendosjen e rripit të sigurimit. Pas operacionit, policia ka bërë me dije edhe masat administrative që janë marrë ndaj drejtuesve të mjeteve.

Në total në të gjithë vendin janë vendosen 1495 masa administrative: Nga këto 950 për mos vendosje te rripit te sigurimit, si dhe për shkelje të tjera u vendosen 545 masa administrative.

Operacioni i zhvilluar kishte për qellim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, ndërgjegjësimin e qytetarëve për rëndësinë e vendosjes së rripit të sigurimit por edhe të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor në tërësi.

Policia Rrugore bën me dije se edhe në ditët në vijim do të vijojë me intensitet punën për ndëshkimin e çdo shkelje të kodit rrugor, duke u fokusuar me shumë në drejtim  të ndëshkimit të drejtueseve të automjeteve që përdorin  pije alkoolike, që përdorin celularin dhe nuk respektojnë normën e vendosjes së mjeteve të fiksimit .

Në këtë operacion blic u angazhuan  rreth 1200 punonjës policie në total. U ngritën dhe funksionuan 280 pika kontrolli ne gjithë vendin.